Kosovë/ Kurti dhe Mustafa mosmarrëveshje jo vetëm për qeverinë e Presidentin

09/01/2020 18:48

Takimi i rradhës mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës përfundoi pa një marrëveshje. Para takimit kishte pak optimizëm por pas dy orësh debate kokë më kokë të dy kryetarët dolën pa thënë asnjë fjalë.

 

Por burime i thonë Top Channel se ndasitë mes tyre janë shumë të thella, nuk ka debate dhe mosmarrëveshje vetëm për ndarjen e qeverisë dhe Presidentit por edhe tema të tjera. Se cilat janë këto tema, Kurti dhe Mustafa nuk i bëjnë të ditura por ajo që duhet qartazi është paaftësia politike për të arritur një marrëveshje që do të çonte në krijimin e të parës qeveri në Kosovë pa ish komandatët e luftës.

Bisedimet mes Vetvendosjes dhe LDK po vijojnë prej javësh pa rezultat. Që në fillim LDK ngulmonte për të marrë edhe Presidentin por akoma më shumë ngulmon VV që mos e japë Presidentin. Arsyet e kësaj kokëfortësie të të dy palëve mund të merren me mend, por ajo që po ndodh po i kushton Kosovës e cila po vijon të drejtohet nga një qeveri që nuk ka më mandate dhe mundësitë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje nuk përjashtohen. Megjithatë Albin Kurti dhe Isa Mustafa këtë të enjte ranë dakort që të takohen sërish. Të presim

Top Channel