Përmes një komunikate për media, fill pas mbledhjes së kryesisë, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në ditët në vijim do të dërgojë me shkresë zyrtare te presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, propozimin e saj për postin e kryeministrit.

Kjo nënkupton se VV nuk do ta respektojë ultimatumin me afat 48 orë të Thaçit, i cili u komunikua nga ky i fundit, pas takimit me kreu e VV-së, Albin Kurtin.

“Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim. Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t’ia drejtojë Drekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës. 8 janar 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e LV-së.

Top Channel