MPJ e Kosovës kërkon nga qytetarët të shmangin udhëtimet në Irak e Iran

08/01/2020 12:58

Pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ka dalë me një njoftim për media edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

MPJ e Kosovës këshillon qytetarët e vendit tonë dhe ata që gjenden jashtë vendit që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin udhëtimet drejt vendeve me tensione sikurse janë Iraku, Irani dhe Jemeni.

Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto vende nuk ofrojnë siguri për integritetin e tyre fizik, thuhet në komunikatë.

MPJ ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe për të ofruar mbështetje të nevojshme konsullore shtetasve të Kosovës në Irak dhe rajon, duke pasur parasysh se ka shtetas të Kosovës që punojnë për organizata ndërkombëtare dhe kompani të ndryshme në Irak.

“Gjithashtu kemi vendosur kontakt me qeverinë e regjionit të Kurdistanit për të mbështetur në çfarëdo nevoje shtetasit e Kosovës në Irak. Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim”, përfundon komunikata.

Top Channel