Ballafaqimi i trishtë i Frederik Ndocit: Ne, që u rritëm me Sanremon e Pagarushën dhe jo me haremet turke

08/01/2020 19:50

Këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci i është bashkuar kësaj radhe, jo me zërin e tij, por me mendimin dhe gjykimin, zërit të dhjetëra personaliteteve të kulturës shqiptare që i kanë dënuar dhe vazhdojnë t’i dënojnë prurjet e reja gjoja moderniste në art dhe në shoqëri.

Në një ballafaqim me stil poetik, Ndoci nuk e kursen sarkazmën e tij ndaj asaj që ai sheh me shqetësim se ka gjetur truall në Shqipëri: “Ne në fëmijëri e kaluam kohën me përralla me princ e ishim përkrahës me Hirushen e jo me Ali Babanë me 40 hajdutë!” – e nis Frederik Ndoci.

“U rritëm me Mujin e Halilin dhe jo me xhindin, që dilte nga llampa magjike. U rritëm me 10 urdhrat e Moizës dhe jo me Nastradinin. U rritëm me vuajtjet dhe vetëflijimin e Jezuit dhe jo me lakminë për monedhat, që fitoi Juda Iscarioti. U rritëm me dhimbjen e Gjergj Elez Alisë dhe jo me gurët që gjuajnë një femër, që burri nuk e do më. U rritëm me “Sanremo” e “Canconisima” e jo me harem e banjo turke. U rritëm me “Ciao estate” e “Hit parade” e jo me Raxh Kapur e tallava. U rritëm me vdekjen parakohe të Elvis Presley, të Luçio Batistit dhe jo me atentatorin e Papa Vojtilës, Ali Allça. U rritëm me serialet e Çelentanos e me telenovelat e David Coperfild dhe jo me Ertugul e Bidai. U rritëm me shurup petale trëndafili dhe jo me “redbull”. Kënaqeshim me Pagarusha dhe jo me Unikatil.

Ne pëlqenim lodrat me luftë, por jo të përdornim kallashnikov kundër shokut të fëmijërisë. Mësonim instrumentë muzikorë dhe jo si pritet qafa me thikë. Puthnim edhe ne fshehurazi, por nuk i kërcënonim të dashurat “hiq fëmijën tim nga barku”! Ne i deshëm dhe u martuam me motra shokësh e miqsh, por nuk i nxorëm ato nëpër trotuare si tutorë për seks. Ne ziheshim me prindërit se nuk kishin lekë për të na blerë libra dhe jo, kurrë, t’i vrisnim si ju për drogë dhe Iphone11. Ne vidhnim kumbulla e qershi në kopshtet e komshiut, por nuk i vumë tritol kujt kishte biçikletë “Mifa”. Ne mësonim që të lumturonim prindërit që na e varnin çelësin në qafë në fillim të javës dhe jo t’i vrasim prinderit se nuk na e japin kodin e kasafortës. Ishim pasardhës të qerosit që humbi Rozafën, por kurrë pjesë e dy vëllezërve tradhtarë. Na ngadhnjeu Gjergj Kastrioti dhe vazhdojnë të na zhgënjejnë Hamza Kastriotët.”

Top Channel