Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje shtetasve kosovarë që të kenë kujdes në udhëtimet drejt Irakut, Iranit dhe Jemenit, meqë konsiderohet se këto vende nuk ofrojnë siguri.

Paralajmërimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës, vjen pas tensioneve më të fundit në rajonin e lindjes së mesme. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se Irani kishte sulmuar dy baza ushtarake amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje ndërkohë që mendohet se në këtë vend ka edhe shtetas kosovarë.

Ministria e Jashtme e Kosovës tha se “ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe për të ofruar mbështetje të nevojshme konsullore shtetasve të Kosovës në Irak dhe rajon.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha ndërkohë më herët se autoritetet janë duke bërë përpjekje për të identifikuar dhjetëra shtetas të Kosovës që punojnë në bazat amerikane Irak.

“Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar sigurinë e kosovarëve dhe në të gjitha kapacitetet tona ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme. Deri më tani të gjithë kosovarët janë të sigurt dhe shëndoshë e mire”, ka thënë mes tjerash ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Top Channel