Tenderat me një garues ose me mungesë konkurimi janë një tjetër problem që haset në procesin e prokurimit publik. Nga një hulumtim i realizuar nga Top Story rezulton se kemi shumë raste të tilla ndër vite.

Dikur kjo ka qenë kategorikisht e ndaluar, por me ndryshimet ligjore të vitit 2014, iu hap rrugë tenderave me një garues. Preteksti u gjet nga institucionet, që ankoheshin se nuk mund të kryenin procedurat e tenderimit pasi kishin një ofertë. Kjo është një anomali në një ekonomi konkurruese.

“Në një ambiente që ka shumë nevojë për konkurrencë, nëse flasim për tendera ndërtimi, furnizimi kemi 10 operatorë që konkurrojnë dhe marrin pjesë në tendera të tjerë. Pse në këtë tender ka ardhur vetëm një operator? Ka pasur një problem me afatin, është vendosur një kriter që favorizon konkurrentin e vetëm apo nuk ka besim biznesi te klima e krijuar. Pra operatorët e ndershëm e dinë që tenderi është krijuar për një kompani të vetme dhe atëherë nuk marrin pjesë konkurrentë të tjerë. Tenderi me një konkurrentë në garë në një Shqipëri ku ne nuk kemi monopol janë tipik tendera problematik”, thotë Aranita Brahja, Drejtuese e Open Data Albania.

Le të sjellim disa shembuj për ta bërë më të kuptueshme këtë problem. Tenderat me një garues organizohen nga të gjitha institucionet në vlera të vogla apo të mëdha. Në qytetin e Shkodrës, institucioni i ujësjellës-kanalizime, ka prokuruar një tender për pajisje kompjuterike, me vlerë 1.7 milionë lekë të reja. Në garë ka patur vetëm një operator, i cili është shpallur dhe fituesi.

Rast tjetër flagrant është tek Ministria për Europën dhe Punë të Jashtme, ku në korrik të vitit 2019, zhvilloi një tender për përkthimin e legjislacionit të Bashkimit Europian në gjuhën angleze. Ky prokurim tingëllon i çuditshëm, për shkak se në këtë institucion duhet të ketë shumë njohës të gjuhës angleze, që mund të përkthejnë një dokumentacion. Megjithatë, tenderi prej 166 milionë lekësh me TVSH, u fitua nga një kompani e vetme, pa asnjë garë, duke e rënduar edhe më tej shkeljen me fondet publike.

Po në nëntor të vitit 2019 është organizuar një tjetër tender pa garë, por këtë herë në Tiranë. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka kryer proceduarën për blerë pajisje zyre. Gara nuk ka qenë e rregullt pasi ka qënë vetëm një garues i cili u shpall edhe fitues.

“Ju e dini çfarë ndodh në Shqipëri. Kur një pjesë e kompanive e dinë që nuk duhet të marrin pjesë në një tender sepse ai është i paracaktuar për një fitues të caktuar. Nëse shkojnë dhe marrin pjesë atëherë do të kenë probleme të mëvonshme me autoritetin kontraktor që bën tendera, pra nuk lejohen më vonë që të marrin punë publike”, thotë gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri.

“Nuk ka nevojë të jesh jurist apo të njohësh legjislacionin për të kuptuar se një tender që bëhet me një konkurrent në garë është me rrisk të lartë për të qen një tender me një klientelist. Kriteret e këtij tenderi janë përgatitur nga një operator dhe nuk japin mundësinë bazës së gjerë të konkurrencës për të marrë pjesë”, thotë Aranita Brahja, Drejtuese e Open Data Albania.

“Janë me qindra rastet kur proceduar e tenderimit ka qenë me një tenderues”, thotë Panajot Soko

Le ti hedhim një sy një tjetër bashkie, për të parë se edhe aty ka tendera që janë realizuar me një garues. Këtë herë po flasim për Bashkinë e Durrësit e cila ka blerë dru zjarri dhe paletë në vlerën e mbi 11 milionë lekë. Në tender ka patur vetëm një garues i cili është shpallur edhe fituesi.
Shkojmë më në jug të vendit, sepse edhe aty ka shkelje sa i përket proceduarave të tenderimit. Në Sarandë është zhvilluar një tender për instalimin e kamerave të sigurisë në qytet. Në këtë tender ka qënë vetëm një pjesëmarrës i cili u shpall edhe fituesi. Tenderi u realizua në nëntor të vitit 2019.

“Ajo që ju thoni është shumë e drejtë që ka me100 raste kur tenderat publik bëhen me vetëm një ofertë. Kjo është njëra anë e medaljes, ka me qindra apo mijëra tendera të tjerë ku mund të jenë më shumë se një ofertë oferta reale është vetëm një. Të tjerat hyjnë dhe shërbejnë për koperturë që justifikojnë sikur në tender ka patur garë por nëse shikojmë dokument kanë mangësi, kanë ofertë zero financiare pra hyjnë për të legjitimuar një tender që është paracaktuar”, tregon gazetari Klodian Tomorri.

Top Channel