Çmimi global i naftës së papërpunuar arriti të hënën në 70 dollarë për fuçi.

Kjo është hera e parë në tre muaj që çmimi i naftës kap një rritje kaq të madhe ndërkohë që shtohen shqetësimet mbi përshkallëzimin e tensioneve ushtarake mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Çmimi i naftës në tregjet që njihen si “Brent” arriti në 70,74 dollarë për fuçi, rritja më e madhe që nga shtatori, pas sulmit ndaj objekteve saudite të përpunimit të naftës.

Tregjet e aksioneve po ashtu ishin në rënie mes frikës se Irani mund të vinte në jetë premtimin për “hakmarrje të ashpër”, siç janë shprehur udhëheqësit e tij. Frika se Irani mund të godasë objekte të naftës që konsiderohen të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Gjirin Persik vijnë si rezultat i sulmeve të mëparshme që i atribuohen gjerësisht Iranit. Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin për një valë sulmesh provokative në rajon, përfshi sabotimin e anijeve me naftë dhe sulmet ndaj infrastrukturës së naftës në Arabinë Saudite në shtator që përgjysmoi prodhimin.

Irani ka mohur përfshirjen në këto sulme. Disa ekspertë thonë se një krize gjeopolitike në Lindjen e Mesme mund të mos ketë efekte aq të mëdha tek çmimi i naftës, sikur kishte dikur. Aktualisht, industria energjitike amerikane është në gjendje të rrisë nxjerrjen naftës nga shtresat argjilore në shtete si Teksasi.

Top Channel