Vrasja e Soleimanit/ Ministri i Jashtëm i Iranit shpërthen ndaj homologut amerikan: Kloun arrogant!

05/01/2020 08:54

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohamed Jawad Zarif e cilësoi homologun amerikan, Mike Pompeo si “kloun arrogant”, referuar komenteve të tij se irakianët “vallëzuan” në rrugë nga gëzimi, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani.

Po kështu, Zarif deklaroi se “fundi i pranisë malinje (të keqe) të SHBA ka filluar në Azinë Perëndimore”.

“24 orë më parë, një kloun arrogant, i maskuar si diplomat, pretendonte se njerëzit po vallëzonin në qytetet e Irakut. Sot, qindra mijëra vëllezër dhe motra krenarë irakianë i dhanë përgjigjen e duhur në të gjithë territorin. Ka nisur fundi i pranisë malinje të SHBA në Azinë Perëndimore “, tha Zarif të shtunën.

Pompeo ngarkoi në llogarinë e tij në Twitter një video që përshkruante protestuesit irakianë në rrugë, të cilën e shoqëroi me titullin “Irakianët duke kërcyer në rrugën drejt lirisë; mirënjohës që gjeneral Suleimani nuk ekziston më.”

Mijëra vetë, mes tyre dhe Kryeministri i Irakut Adel Abdel Mahdi, morën pjesë të shtunën në ceremoninë e varrimit të gjeneralit iranian Qassem Soleimani, komandantit të lartë irakian Abu Mahdi al-Muhandis si dhe tetë udhëheqësve të tjerë ushtarakë irakian, të cilët u vranë të premten nga një sulm ajror amerikan, ku objektiv i sulmit ishte gjenerali iranian Soleimani.

Sipas presidenti Donald Trump, sulmi në fjalë ndodhi  për të ndaluar një sulm të afërt që Soleimani kishte planifikuar të kryente ndaj amerikanëve në rajon. Nga ana tjetër Irani ka premtuar se do të hakmerret lidhur me vrasjen e gjeneralit, e ndërsa Uashingtoni ka mbyllur ambasadën në Bagdad dhe ka urdhëruar qytetarët amerikanë të largohen nga vendi.

Top Channel