Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic vendosi të anulonte vizitën private të planifikuar në Malin e Zi, pas mosmarrëveshjeve të lindura mes dy shteteve fqinjë lidhur me ligjin e feve të miratuar në Podgoricë, për të cilin serbët thonë se diskriminon Kishën Ortodokse Serbe.
Ky ligj u bë shkas edhe për sulmin e ambasadës malazeze në Beograd. Vuçiç njoftoi se nuk do të shkojë në Podgoricë javën e ardhshme për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët malazezë se prania e tij do t`i rriste më shumë tensionet dhe do të rrezikonte pavarësinë e vendit. “Vendosa të mos shkoj dhe me këtë vendim, u pajtua edhe patriarku serb, Irinej”, ka thënë ai, duke shtuar se serbët e respektojnë pavarësinë e vendit fqinj.
Më herët, Vuçic kishte deklaruar se do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi me rastin e Krishtlindjes Ortodokse që festohet në 7 janar. Kreu i shtetit serb sakaq, i akuzoi zyrtarët malazezë dhe ata perëndimorë – ndonëse nuk tregoi haptazi se për kë bëhej fjalë – duke thënë se kishin nisur një “fushatë histerike gënjeshtrash”, që në momentin që ai kishte njoftuar se do të udhëtonte drejt Malit të Zi. Ky I fundit u shkëput nga Serbia në vitin 2006. Një e treta e popullsisë prej 620 mijë banorësh atje, deklarohen si serbë.
Top Channel