Barcelona dështoi të marrë maksimumin e pikëve në derbin e Katalunjës ndaj Espanyolit, duke e nisur vitin 2020 me një barazim 2-2. Një pikë që mban gjithsesi në krye të La Ligas blaugranat e Ernesto Valverdes por tashmë me pikë të barabarta me Realin e Madridit 40 dhe me 5 pikë më shumë se Atletico e Madridit.
Në RCDE Stadium Espanyol e nisi më mirë sfidën dhe zhbllokoi shifrat me David Lopez pas 23 minutash lojë. Shtylla i tha jo golit të barazimit të Suarez në pjesën e parë por me Messin e Griezmann, ishte vetë bomberi uruguaian ai që mori përsipër të ndryshonte fatet e këtij takimi për Barçën.
Në minutën e 50-të, Suarez barazoi shifrat pas asistit të Jordi Albës, ndërkohë që 9 minuta më vonë me një pasim spektakolar i dha mundësinë Arturo Vidalit të hedhur në fushë në pjesën e dytë të përmbyste shifrat me një goditje të saktë me kokë dhe të kalonte në avantazh Barcelonën.
Megjithatë gjërat u vështirësuan për skuadrën e Valverdes në minutën e 75-të kur Frenkie De Jong mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Barçën në inferioritet numerik.
Që ish-mbrojtësi i Barcelonës, Abelardo Fernandez ta niste me një rezultat pozitiv aventurën e tij në stolin Espanyol mendoi kinezi Wu Lei, i cili në minutën e 88-të mposhti Neton dhe i dha një pikë shumë të rëndësishme Espanyolit në garën për mbijetesë në La Liga, edhe pse bardheblutë katalanas mbeten për momentin në vendin e fundit.
Top Channel