Çmimi i naftës u rrit me 4% pas lajmit të vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani, i konsideruar si njeriu që mund të ishte lideri i ardhshëm i Iranit.

Vdekja e kësaj figure të fuqishme të republikës islamike pas një sulmi ajror amerikan të urdhëruar nga vetë Donald Trump, rrezikon të përflakë tensionet në Lindjen e Mesme.

Presidenti Iranian Hassan Rouhani doli menjëherë me një deklaratë ku zotohej për shpagim. Eksperti Jeffrey Halley mendon se objektivat e parë të zemërimit Iranian mund të jenë rafineritë dhe cisternat e naftës. Halley duket se nuk është i vetmi të cilit i ka shkuar në mendje një gjë e tillë, e kjo u reflektua qartë në kapërcimin e beftë që pati kuotimi i arit të ri në tregjet ndërkombëtare.

Çmimi i naftës u rrit me më shumë se 14% në muajin shtator pas sulmeve të koordinuara mbi rafineritë saudite të naftës, të cilat e reduktuan me 5% furnizimin global të naftës. Vrasja e gjeneralit është parë me shqetësim të madh për të gjithë pasojat që ajo mun të sjellë. Kina ishte ndër vendet e para që reaguan me thirrjet për vetëpërmbajtje.

“Sovraniteti i Irakut, pavarësia dhe integriteti territorial duhen respektuar; paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të ruhet. i bëjmë thirrje të gjitha palëve, por sidomos Amerikës, të ruajnë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen, me qëllimin që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve”, tha Geng Shuang, zëdhënës i ministrisë së jashtëm kineze.

Rusia gjithashtu reagoi duke folur për “ një veprim aventuresk e të rrezikshëm” . Shumë nga banorët e Teheranit, vrasjen e gjeneralit e interpretojnë si “ftesë për luftë”.

“Fatkeqësisht, Trump veproi në mënyrë të njëanshme; ai thotë se nuk e dëshiron luftën me Iranin, por kjo që ndodhi praktikisht na shtyn drejt luftës. Kjo mund të ketë pasoja serioze për vendet e rajonit”, tha një banor.

Në Irak ndërkohë, grupe protestuesish anti-qeveritarë e me këngë e valle lajmin e vrasjes së komandantit të lartë Iranian. Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë shtuar ndjeshëm pas sanksioneve ekonomike të SHBA që dëmtojnë ekonominë iraniane.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për sulmet ndaj instalimeve të naftës, depove të armëve të milicisë si dhe bazave ushtarake që strehojnë forcat amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA