Të gjithë të akuzuarit në çështjen e quajtur “Pronto” janë liruar nga akuzat. Përveç se është shprehur se nuk është provuar vepra penale, Gjykata në Kosovë njofton se arsyetimin e detajuar do ta japë me shkrim.

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ish-zyrtarët e Kosovës ishin pjesë e një procesi gjyqësor në një rast përgjimesh, që u bë i njohur si rasti “Pronto” për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë bisedave të përgjuara. Midis të tjerave, në përgjime dëgjoheshin diskutime edhe për punësime në administratë në kundërshtim me ligjin.

Top Channel