Dështimi me njohjet e reja/ Analistët: Faji i institucioneve të Kosovës, por edhe ngecja e dialogut

02/01/2020 13:50

Institucionet e Kosovës gjatë vitit 2019 kanë dështuar të sigurojnë njohje të reja ndërkombëtare.

Në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë 116 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, edhe pse Serbia, në disa raste ka folur për tërheqje të njohjeve. Kjo e fundit ka bërë një fushatë të egër për të dëmtuar Kosovën në politikën e jashtme dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë dështuar në diplomacinë e jashtme.

Afrim Hoti thotë për KosovaPress: “Ajo me të cilën mendoj që jemi përballë po ashtu në 2019-n është fenomeni i tërheqjes së njohjes. Në të drejtën ndërkombëtare të paktën si praktikë nuk ekziston tërheqja e njohjes…”

Sipas Hotit, Serbia ka përdorur të gjithë mjetet jo demokratike për të bindur disa shtete që të tërheqin njohjen, por kjo ka ndodhur me ato shtete që nuk kanë sisteme të konsoliduara.

“Kemi dështuar në kuptimin e mbajtjes së lidhjeve si njëra ndër të drejtat themelore të shteteve. Pra nëse një shtet na njeh ne, e kemi obligim që në mënyrë të vazhdueshme përmes diplomatëve tanë të mbajmë lidhje dhe të mbajmë të informuar secilin shtet për zhvillimet tona…

Analisti Ramush Tahiri thotë në anën tjetër se Kosova ka shënuar ngecje dhe ka filluar të zvogëlohet numri i njohjeve.

“Ndoshta nuk janë të lidhura, por duket që nga bisedimet e Brukselit, me Serbinë, Kosova ka ngecje dhe kthim prapa sepse bisedimet apo dialogu me Serbinë është trajtuar si dialog statusor, i çështjes së statusit, a është Kosova shtet apo jo, a është subjekt ndërkombëtar apo jo, dhe kanë filluar të bien njohjet, ose të tërhiqen njohje…

Për analistët Kosova duhet të ketë një strategji më agresive në kuptimin pozitiv për prezantimin e saj jashtë vendit, përmes një përfaqësimi diplomatik dinjitoz. Mungesa e njohjeve të reja ka bërë që Kosova të dështojë edhe në përpjekjet për anëtarësim në Interpol.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA