Me kalimin e ditëve gjithnjë e më tepër po ngritët zëri i Ambasadave të huaja në vendin tonë, kryesisht te vendeve mike, për formimin e shpejtë të qeverisë së Kosovës.

Pas takimeve të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett me liderët e dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, edhe Ambsada e Britanisë ka kërkuar nga VV e LDK të tejkalojnë dallimet.

Sipas tyre, këto dy subjekte duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës.

“Më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen. Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës.

Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes. Respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, përfundon deklarata e Ambasadës britanike në Prishtinë.

Top Channel