Një godinë e rëndomtë në një zonë industriale afër Kyotos, nuk tregon shumë për produktivitetin e saj: 30 mijë lakra rriten këtu çdo ditë, nën dritë artificiale e madje pa një ndërhyrje njerëzore.

Fabrika e perimeve, përdor teknikat më të fundit të fermave vertikale, dhe është pjesë e një trendi të lindur nga nevoja në Japoni, ku teknikat tradicionale të bujqësisë përballen me një kërcënim të dyfishtë nga plakja e popullatës dhe emigracioni drejt qyteteve.

Me moshën mesatare të një fermeri në Japoni, 67 vjeç, dhe me pak kandidatë për të zëvendësuar ata që ndahen nga jeta, vendi është detyruar të bëhet një pionier në të ashtuquajturat ferma vertikale.

Kompani të njohura në të gjithë globin si panasonic, toshiba dhe fujitsu kanë tentuar në këtë fushë duke konvertuar linjat e vjetra të prodhimit me nivele të ndryshme suksesi.

Një nga disa kompani që kanë siguruar fitime është edhe kjo që prodhon 11 milionë kokë lakra çdo vit përveç perimeve të tjera që rriten në rafte disa metra të lartë.

Makineritë bëjnë gjithçka dhe ndriçimi, temperatura dhe lagështia kontrollohen. Procesi funksionon pa dhe dhe pa pesticide, vetëm pak persona janë të punësuar për të mbledhur prodhimin në përfundim.

Fermat vertikale janë shfaqur edhe në vende të tjera, si Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ato në Japoni, janë produkt i krizës.

Top Channel