Një roman thriller i cili mbështetet mbi intrigat e vogla të jetës.
Pas romaneve “Vdekja e Narcisit”, “Fytyra e Djallit”, “Mëria e Zanave”, “Simfonia e pambaruar”, dhe “Aromat e Vjeshtës” vjen “Vals në shkretëtirë” që është romani i gjashtë i Grigor Banushit dhe njëkohësisht pjesa e dytë e trilogjisë që nis me “Aromat e Vjeshtës”.
Në qendër të këtij romani është përsëri figura e një gazetari e shkrimtari, të cilit nuk i ndahen shqetësimnet e peripecitë, por vazhdojnë ta ndjekin këmba-këmbës. Në këtë pjesë të dytë ai tashmë nuk është prè e intrigave të vogla dhe thashethemeve, por gjendet para shantazhit e kërcënimeve dhe një rreziku serioz për jetën. “Vals në shkretëtirë” paraqet ankthet e ditës dhe makthet e natës që kaplojnë personazhin kryesor i cili herë qëndron pasiv e herë guxon të përballet me to, duke kërkuar një zgjidhje që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kësaj gjendjeje.
Pjesa e dytë e trilogjisë është ndërtuar në formën e thrillerit, që e merr me vete lexuesin dhe e shpie në skutat e errëta ku kanë folenë krimi dhe korrupsioni. Përdorimi i thrillerit mban ritmin sipas shkrimtarit, sepse në fund të fundit letërsia është edhe një kuriozitet. I pyetur për lexuesit e rinj ai thotë së vështirësia qëndron te shpjegimi i termave. “Duhet një fjalor për shpjegimin e termave, akoma nuk ka letërsi elektronike”, tha Banushi. Sipas tij është egoiste ti drejtohesh një lexuesi elitar, mirë është të kemi një lexues të përgjithshëm, “tani kam hequr dorë nga referencat pasi lexuesi tashmë është i përgatitur”, tha shkrimtari
Mbi autorin
GRIGOR BANUSHI ka lindur në Tiranë më 1948. Pas diplomimit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë dhe Letërsi, ka punuar si mësues në rrethin e Pukës. Më pas, deri në vitin 2013, ka qenë gazetar në Radio Tirana. Në vitin 1997 është botuar romani i tij i pare, me titull Vdekja e Narcisit, i ndjekur nga romani Fytyra e Djallit (2009). Ndërsa Mëria e Zanave është romani i tretë i autorit, një kombinim i trillerit, realitetit dhe legjendës. Grigor Banushi është gjithashtu bashkautor i radionovelës “Rruga me pisha transmetuar në Radio Tirana nga viti 1999 deri më 2007. Pas tri romaneve të para, Simonia e pambaruar është një tjetër arritje e autorit.
Të dhënat për librin
Titulli: Vals në shkretëtirë
Gjinia: Roman
Autori: Grigor Banushi
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2019
Fq. 350
Pesha: 0.455 kg
ISBN: 978-9928-292-30-8
Top Channel