“Njeriu nuk di asgjë, dhe ne ndodhemi në zemrën e natës”. Pierre Angelique shprehej kështu më shumë se një shekull më parë, duke e parë erotizmin si formën e ndërgjegjësimit për një çarje të brendshme që po jetonte shpirti njerëzor. Kohë më vonë, George Bataille, një biond francez, do të merrte teorinë e tij për të bërë një udhëtim të gjatë dhe të hapur për ta zbuluar shpirtin përmes trupit. Në kohët kur klasikët rrekeshin të shpjegonin përmes faqesh të tëra, dashurinë e pamundur, duke i lënë personazhet të përqafoheshin nga dhembja, Bataille e shihte shërimin e tyre te diçka e mrekullueshme, që vinte nga brenda. Ishte dëgjimi i një muzike që vinte prej trupit.
Hyrja brenda kufijve që gjithsecili ia ka vendosur vetes, përballja me frikën, dobësitë e vogla do të na çojnë te një njohje e thellë e dëshirës. Bataille e pa letërsinë si formën përmes së cilës do të përballej me rrezikun, për të gjetur më në fund ndjesitë e padurimit. Ai shkoi deri në format më të tmerrshme të erotizmit, si për të treguar se vetëm duke e çuar imagjinatën drejt ekstremit, mund të vërtetonte atë çfarë ndrydhja e erotizmit po i shkaktonte shekullit të 19-të.
Boccaccio do të bënte të njëjtin udhëtim me Dekameronin. Rrëfenjat e tij nuk janë gjë tjetër veçse një mënyrë për të harruar dhembjen që i kishte shkaktuar një dashuri e fortë, të cilën ai do të kishte dashur ta prekte ndryshe. Ashtu si në jetët që u dha personazheve femra, që nuk e fshehën se përgjigjia ishte erotizmi. Në një kohë e cila po gjykohet gjithnjë e më tepër për rendjen drejt konsumit dhe kur ka një rritje të veprave që kërkojnë t’i imponohen lexuesit përmes erotikës, një nga pyetjet që me të drejtë ngrenë kritikët e librit, është se çfarë po ndodh sot me atë që dikur quhej “Letërsia e Turpit”. A është erotizmi që na ofrohet ndër libra, erotizmi që na duhet?
A ka ai kahun e duhur drejt nxitjes së mendimit edhe në kulmin e perversitetit apo mos ndoshta vetëm sa rreket të zhveshë njeriun prej mendimit? A është të parit e botës, përmes epshit si thelbi i ekzistencës së saj? Si keqkuptimi i madh që po e kthen shekullin e XXI-të në një kaos të përplasjeve të ideve apo qytetërimeve? Ndërsa filozofia vazhdon të besojë se njeriu nuk mund të përkufizohet vetëm te qejfi dhe se të menduarit është një proces që do ta çojë gjithnjë në dimensione të tjera shoqërinë, letërsia vazhdon të jetë streha ku erotizmi përplaset shpesh dhunshëm, duke lënë aty gjithë neurozat e një ndrydhjeje të gjatë. Shpesh erotizmi në libra është parë dhe si një pasqyrë për të parë shkallën e të menduarit të një vendi.
Rasti i letërsisë shqipe është shembulli më i mirë, sesi fshehja e erotizmit tregon qartë për krizën e gjatë të një lirie individuale që akoma si shoqëri vuajmë sot, duke vazhduar të jemi ende përballë çarçafëve të bardhë të gruas që Dhimitër Xhuvani e vizatoi aq bukur te libri “E nesërmja e një gruaje”. Ashtu në rërën e lagur me vështrimin nga vila e braktisur që kishte marrë jetë prej një gruaje, ne vështrojmë çarçafët e saj të bardhë, nderur me kujdes në telin që e vendosi vetë, duke përfytyruar se çfarë ka përtej …
Top Channel