Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në letrën e publikuar nga mediat në Kosovë, presidenti Thaçi thotë se “me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ më datën 31 dhjetor 2019 në ora 10”. Më herët Kurti ka refuzuar edhe dy ftesa të tjera të presidentit Thaci me justifikimin se nuk ndodhej në Prishtinë. Ai pati thënë para gazetarëve se “agjenda e tij nuk mund të bëhet aty për aty, gjatë ditës, duke pohuar se do ta takojë Thaçin, porse jo me urgjencë”.

Në bazë të Kushtetutës, fillimisht presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, për ta formuar Qeverinë. Por, më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës. “Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”, ka thënë Kurti.

Të dyja partitë edhe pas shumë negociatave nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje. Mirëpo pas deklarimeve të Kurtit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk cakton data për formimin e qeverisë. “Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhje, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”, ka shkruar Mustafa. Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë. Ata kanë paralajmëruar mundësinë për marrëveshje të re lidhur me përgjegjësitë, si dhe për programin qeverisës, por edhe mundësinë që LDK-ja të kalojë në opozitë.

Në përpjekje për të zgjidhur situatën, ka përveshur mëngët edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Ai zbarkoi në selinë e LDK-së ku u takua me Mustafën dhe drejtues të tjerë, por nuk pati deklarata konkrete pas tij.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai u zgjodh në këtë post në seancën konstituive me 75 vota pro, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Top Channel