Kampionati më i bukur i futbollit në planet u rikonfirmua dhe në ditët e fundit të 2019 me spektaklin e derbit të Londrës.
Çelsi mundi 2-1 Arsenalin në një 90 minutësh plot adrenalinë në Emirejts Stedium, me një përmbysje të bukur në fundin e lojës, kur thuajse askush nuk e mendonte fitoren e bluve.
Trajneri Mikel Arteta shpresoi se do të merrte fitoren e parë në derbi në pankinën e Arsenalit kur Pier Emerik Obamejang prishi ekuilibrat që në minutën e 13. Por dëmtimet në prapavijë që sforcuan hyrjen e Shkodran Mustafit dhe prishja e skemave dha probleme që para pushimit. Në minutën e 37
Çelsi pretendoi për një penallti por sistemi i videoarbitrimit zhgënjeu blutë e Londrës.
Në fraksionin e dytë rastet nuk munguan në të dy kuadratet, madje Arsenal iu afrua më shumë golit të dytë por pa sukses. Kur askush nuk e priste, një aksion kontrovers në zonë çoi topin te Zhorginjo që shënoi në portën e Leno, mes protestave për një faull. Me sytë nga ekrani i pamjeve filmike, arbitri ligjëroi barazimin.
Por e pabesueshmja ndodhi në aksionet në vijim, kur prapavija e Arsenal u shthur duke lejuar dhe golin e dytë të Çelsit. Tami Ejbraham me një lëvizje të bukur brenda zonës dërgoi sferën mes këmbëve të portierit Leno, rrjetë që vendosi dhe derbin. Me këtë 3 pikësh krijon një hendek komod me ndjekësit e tjerë në vendin e fundit që të kualifikon në Champions.
Top Channel