Të enjten marrëveshja u mbyll, ndërsa në orët e mbrëmjes së kësaj te premteje erdhi edhe zyrtarizimi: Zlatan Ibrahimovic është lojtar i Milanit. Komunikimi u bë nga klubi kuqezi nëpërmjet një njoftimi në Twitter, ku i urohet mirëseardhja fenomenit suedez, nëpërmjet një videoje ku shfaqet Madonnina e ndriçuar në një natë furtune kuqezi.
Titulli, i goditur: IZComing… Edhe tifozët janë përgjigjur menjëherë, duke pushtuar faqen me pëlqime pafund.
“Djalli” më pas ka njoftuar se Zlatan Ibrahimovic do të jetë në Milano më 2 janar për të kryer vizitat mjekësore. Ka nënshkruar për 6 muajt e ardhshëm, me idenë për ta vijuar bashkëpunimin edhe sezonin tjetër, sigurisht në varësi të përformancës dhe numrit të golave që do të shënojë.
Këto janë fjalët e tij të para për kthimin si kuqezi:
“Po kthehem në një klub që e respektoj shumë dhe në një qytet që e dashuroj. Do të luftoj me shokët e mi për të ndryshuar ecurinë e këtij sezoni dhe do të bëj gjithçka për të arritur objektivat.”
Ibra do të fitojë 3.5 milionë euro gjatë 6 muajve të parë të kontratës, me mundësinë e zgjatjes së marrëveshjes deri në qershor të vitit 2021. Ndaj Sampdorias mund të jetë në stol, ndërsa debutimi i tij pritet më 15 janar në Kupën e Italisë, kundër SPAL-it të Etrit Berishës.
Top Channel