Pamundësia për të lindur fëmijë me procesin in vitro, bie ndesh me perpjekjet e qeverisë shqiptare për të stimuluar rritje ne numrit të lindjeve. Para pak kohësh Kryeministri shpalli me bujë të madhe paketën ligjore për bonusin e bebeve.

Ai premtoi 40 mijë lekë të reja për beben e parë, 80 për të dytën dhe 120 mijë për beben e tretë. Ndërkohë janë më qindra çifte që nuk lindin dot fëmijë sepse fekondimi invitro është i shtrenjtë, shteti nuk jep asnjë ndihmë për këto çifte. Madje nuk ka asnjë statistikë zyrtare se sa janë këto çifte. Vetëm spitalet private japin një shifër jo zyrtare.

“Numri i cikleve për fekondimin INVITRO, për 1 milion banorë duhet të jetë rreth mesatarisht 1000-1500, në shifra jozyrtare, numri i çifteve që kanë nevojë për invitro shkon në 1000 çifte në vit, që tregon se na mungon një pjesë e mirë e çifteve që mund të trajtohen”, tregon Dr. Marsel Gaxhia, Embriolog Klinik.

Fatura financiare është e lartë, gjithçka kushton. Nëse nuk arrihen rezultate, procesi nis nga e para ndërsa çmimi 2 fishohet, 3 fishohet, 10 fishohet sa herë përsërisim procedurat.

Ata që vijnë nga rrethet në Tiranë, përveç kostove mjekësore duhet të paguajnë ekstra edhe shtëpinë me qira, jetesën në kryeqytet pa qenë të sigurt se do të arrijnë një shtatzëni.

Çmimi dysheme për fertilizimin in-vitro nis nga 1500 euro, kjo për një cikël natyral. Nëse flasim për një cikël bashkë me medikamentet ky çmim kap shifrën e 4-5 mijë euro. Dhe nëse ky proces përsëritet 3, 5, apo 10 herë, çmimi është i pandryshueshëm për secilin cikël. Pra, nëse çifiti arrin të lindi fëmijë me tentativën e 5 ose të 6-të, shpenzimet kanë shkuar në 30 mijë euro. Ka çifte që e provojnë edhe 10 herë, derisa arrijnë të lindin një fëmijë.

Këto çmime mund të jenë të larta për kushtet ekonomike të Shqipërisë. Por secili çift para dëshirës për të pasur fëmijë nuk llogarit kostot. Duhet që shteti të gjejë një zgjidhje për ta lehtësuar këtë barrë. Shtetet e rajonit e kane zgjidhur me subvencionim.

“Shteti duhet të kthejë sytë nga këto çifte, nga kjo pjesë e popullsisë duke i subvencionuar një pjesë të mirë të trajtimit, siç ndodh në të gjitha vendet evropiane. Ne maqedoni shteti jep 1000 euro për cdo cikël, që është një ndihmë jo e vogël për çiftet”, tregon doktori

“Kam pasur çifte që i kam takuar që mund të kenë provuar 12-13 herë. Të pakët trajtimet e para të mund të rimburoheshin nga shteti, ose ilaçet, medikamentet për të bërë Fertilizim të Asistuar, janë tmerrësisht shumë të Shtrenjta. Përveç procedurës që është e kushtueshme kushtojnë shumë edhe ilaçet”, – thotë Fatlinda Tahiri Berisha, Eksperte në fushën e Infertilitetit.

Në Shqipëri shteti nuk është marrë fare me këtë fushë. I ka lënë dorë të lirë klinikave private.

“Legjislacioni shëndetësor parashikon kriteret që duhet të plotësojë një klinikë për të bërë këtë shërbim por nuk parashikon çmimet, ne nuk mund të ndërhymë dhe të kërkojmë sa të jenë çmimet për sa kohë nuk është e parashikuar në ligj. Çmimet i vendosin vetë klinikat”, – Antoneta Njehrrena, Drejtore Juridike, Ministria e Shëndetësisë.

Top Channel