Gjashtë muaj kryesim i presidencës së BE-së për secilin vend anëtar, ofron shansin që të prezantohet si organizator i mirë dhe të prezantojë apo të japë drejtimin për temat e ndërlikuara të BE-së.

Disa ndër shtetet themeluese të unionit si Luksemburgu e kanë pasur 12 herë në rotacion presidencën e BE-së, gjë që u është kthyer atyre tashmë në rutinë dhe nuk u duhen bashkëpunëtorë shtesë, për organizimin e konferencave. Shtete të tjera të mëdha kanë një imazh më të keq në kryeqytetin e BE-së në Bruksel.

P.sh. Britania e Madhe, që në janar do të dalë prej BE-së, konsiderohej si kaotike, e paorganizuar mirë dhe me pak frymë krijuese. Gjermania, që është vendi më i madh anëtar i BE-së dhe që e ka radhën në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të drejtojë presidencën, konsiderohet si e aftë për të realizuar objektivat, por edhe mjaft burokratike dhe pedante. Gjermanët angazhojnë qindra diplomatë shtesë në përfaqësinë e Brukselit, për të menaxhuar me sukses presidencën gjashtë mujore. Tani është radha e debutimit të Kroacisë. Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë. Shumë qytetarë të BE-së edhe në Bruksel njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime. Tani qeveria kroate ka rastin të tregojë edhe anë të tjera të vendit.

Diplomatët dhe nëpunësit kroatë do të drejtojnë qindra mbledhje në Bruksel, por edhe do të përfaqësojnë BE-në në konferenca ndërkombëtare si ajo e Klimës, samite dhe gjatë vizitave në Azi apo Afrikë. Kroacia do të prezantohet sa më mirë dhe të aplikojë për pranimin në zonën Shengen pa kontrolle të lëvizjes së personave. Sigurimi i kufijve dhe kontrolli i migracionit si rrjedhojë do të jenë padyshim pikërëndesa të presidencës kroate.

Top Channel