Zbulimi i një pikture të Cimabues, e shekullit të 13 , në kuzhinën e një të moshuare në Francën veriore, habiti botën e artit dhe tani qeveria ka vendosur ta shpallë atë si një thesar kombëtar.

Franca ka ndaluar eksportimin e pikturës për 30 muaj, në mënyrë që të mundësohet mbledhja e fondeve që ta blejë atë për llogari të vendit. E gjetur në shtator, piktura u shit në një ankand, një muaj më pas, për 24 milionë euro.

Cimabue, i njohur edhe si Cenni di Pepo, ishte një artist i rëndësishëm i para rilindjes. Vepra e vogël, vetëm 20.3 cm e gjatë dhe 28.5 cm e gjerë, u zbulua nga një ekspert gjatë një vizite në shtëpinë e gruas së moshuar, në qytezën Kompienje, 90 km në veri të Parisit.

Gruaja ishte rreth të 90-ave dhe ishte zhvendosur në një shtëpi të moshuarish ndaj po bëhej një inventar para se shtëpia e saj të zbrazej.

Ai e pikasi pikturën të varur mbi një sobë gatimi. Pronarët kishin menduar se ajo mund të ishte një ikonë ruse, ngjyrat e të cilës ishin zbehur me kalimin e viteve. Por pasi u vlerësua nga ekspertët në Paris, ajo u identifikua si një Cimabue dhe më pas u nxor në ankand. Edhe pse blerësi nuk u identifikua, mediat franceze raportuan se ajo mund të ishte blerë nga dy koleksionistë kilianë të specializuar në artin e rilindjes italiane, që jetonin në SHBA.

Top Channel