MONIKA STAFA
Kish qenë një dëshirë prej së vogli që Viena të ishte kryeqyteti më i parë që duhet të kisha vizituar. Por ndryshe ndodhi. Pasi kisha vizituar disa herë Budapestin, gjithmonë mendja më rrinte tej gjysmës tjetër ndoshta më të mirë të Danubit. Në Vienë.
Anës tij isha ndalur mendueshëm se kjo tallazitje e tij e shtruar në mëngjes a mund të kish qenë po e njëjta, në anën tjetër të saj. Ndoshta kurioziteti e kish glorifikuar, ndoshta pamundësia për ta prekur e kish tjetërsuar në përfytyrim, por një gjë ish e sigurt, Vjena prej disa kohësh tanimë është mes meje dhe asaj. Me Danubin në mes, asgjë s’do ish më e kriptuar si më parë. Mendja ma thosh, por jo të gjitha shqisat ishin njësh me të. Udhëtimet e mia nëpër ëndrra s’di pse i ndërtoja me këtë kryeqytet europian në mendje.
Ndoshta shenjat historike të qytetit më kishin mbetur herët në kujtesë; atëherë kur endesha mes bukurive femërore të Sisit, princeshës së dinastisë habsburgase dhe lojërave dashurore të saj, pasionit për artet dhe historinë. Hajdit, vogëlushes së dëlirë dhe këmbëngulëse që me mirësinë e saj zbuti forcën nazike të plakut që kish braktisur njerëzinë e qytetit prej lirisë që gjente në alpet tiroleze apo valsit gjithmonë ngjyrë blu në përfytyrimin tim të Shtrausit mendjemadh që ma sillte Danubin përjetësisht përrallor të ngrohtë në cdo stinë. Rastet për të qenë atje ishin të ndryshme si dhe konferencat që organizohen por që tek secila nuk mungoja. Me një admirim për të qenë protagoniste në cdo rast, ulesha para tavolinës së punës për të përgatitur përmbajtjen e radhës.
Në ditën e parë të saj biseda me studiuesit për cështjet gjinore ishte e qetë derisa në orët e pasdites ajo pat marrë liri në trajektoren e saj. Dhe ka një moment të kohës kur atë s’mund ta ktheje dot mbrapsht për t’iu referuar të dhënave burokratike që më mërzisnin sa herë raportoheshin lidhur me përqindjen e pjesmarrjes së grave në pushtet. Më ish dukur dhe kjo gjithmonë një shfaqje teatri për aq kohë sa indeksi i familjeve shqiptare për këtë temë tregonte se ne ishim ende një shoqëri në zhvillim e s’mund të mburreshim vetëm me një numër të vogël familjesh në kryeqytet. Megjithatë unë i shijova këto momente bisede në këtë ditë të parë vjeneze në Kolpinghauz Ëien Zentral, aty ku dhe po zhvilloheshin orët e punës në lobimin e rrjeteve mes organizatave feministe kudo në Europë. Biseda po gjeneronte dëshirë dhe frymëzim për dëgjim. Pa ndalesë në mes hodha sytë drejt dritares. Nuk mund të rrija edhe më gjatë. Valsi i Danubit dhe balerinat fluturake më qëndronin si miza pas mjaltit në kokë. Duhet ta mbyllja diskutimin për gjithçka e kishim nisur. Nesër do të lindte një horë e re, s’di pse m’u shqiptua kaq lehtësisht kjo fjalë, hora si Horët e malit apo si lajmësit e rinj të një dite të re. Errësira po e përpinte madhështinë e qytetit e bashkë me të, më kish hyrë frika se mos rrezikoheshin çastet e mia magjike të shëtitjes krah rrugëve të saj, karrocave të bukura të shtruara me të kuqen e kadifenjtë apo dhe ëmbëltoret në shitoret anës Schönbrunnit me aromën e tyre të sheqertë.
Çudi, kisha menduar kur kisha prerë biletën e avionit, ja tani në Vjenën e Sisit që me ngulmimin për të thyer kufijtë e kohës së saj e kapërcyer ato në fund të shek. 19, më kish bërë ta ëndërroja këtë metropol perandorak dhe po për këtë liri, a diçka më shumë, “për t’u përplasur” në ide dhe mendime me ca vjeneze tipike në sjellje dhe maniera. Zoti kisha lexuar diku, vë në lëvizje në jetën e njeriut ca ngjarje sa madhështore aq dhe të ngatërruara edhe thjesht për të vënë në provë ca momente fatale në jetën e njeriut që kanë të bëjnë me frikën e së pamundurës dhe ndoshta në këtë mes nxit forcën tek ai (njeriu) për t’u përkryer. E pa këto shëtitje nëpër botë, pa këto takime me gjithfarësojsh të Europës së përbashkuar, që rastet e përndritura m’i sillnin t’i zbuloja si një djallushe gjuetie e pagabueshme, pa këto pamje groteske dhe madhështore të një qytetërimi hijerëndë dhe endacak nuk do të kisha mundur ta përshkruaja Danubin si një botë të bëshme por në të njëjtën kohë të brishtë si bardhësia e mermertë e supeve të statujave në Schönbrunn. Ngado që të hedhësh sytë, e në çdo hap këndej të lind një mendim. Ky është kryeqyteti ku Lordi Rotshild u bë ornitolog, një Varburg historian arti, një Kasirer filozof, një Sason poet, të gjithë këta por dhe shumë të tjerë iu bindën së njëjtës shtysë të pavetëdijshme për t’u çliruar prej asaj që e pati tkurrur njerëzimin, prej etheve të ftohta të pushtetit dhe parasë dhe ndoshta prej kësaj shpjegohet dhe dëshira e fshehtë që duke u lartësuar shpirtërisht njeriu largohet nga ajo që është nacionale, patriotike dhe folklorike e shkrihet në atë që është mbarënjerëzore.
Ora kish shkuar buzëmbrëmjes. Ishin netë të ftohta tani në Vjenë. Hera–herës mbërrinin shtjella të thikta ere sidomos në brigjet e Danubit që mundohesha t’i përballoja me kokën lart, ndoshta si një sfidë për atë çka kisha gjetur dhe s’e kisha marrë, ndoshta se një tjetër ditë e bukur më priste me gjithë mëngjesin gri në shestim të mendjes me kafenë vjeneze afër, ndoshta se kisha shumë vende të tjera për t’u tretur, ndoshta se gjithmonë i besoj asaj që do të vij të nesërmen.
Në një botë e cila shkërmoqet nga shastisja e shumicës që nuk merren vesh mes tyre dhe nga ana tjetër sheshon diversitetet në një rrafshim anonim, problemi qendror është ai i diversitetit që nuk mohon por mishëron, në veçorinë e vet njerëzoren e të përbotshme. Ndaj në ditën e dytë isha çuar prej gjumit gazplotë dhe hareshëm t’i njihja më shumë portretet vjenezë që më kishin kaluar afër supit tim një ditë më parë, dhe nëpërmjet tyre diçka më shumë.
Kafenetë e Vjenës ishin të dashura edhe në orët e mbrëmjes me atë qetësinë e tyre habsburgiane, gjatë bisedave, të cilat shpesh rëndoheshin nga uni i gjithsecilit kulturalisht i ndryshëm e që po aty lehtësoheshin nga mundësia për të përmendur kuriozitete historike dhe artistike të njërit qytet apo tjetrit, për të shpërthyer në shaka me një kënaqësi dashamirëse e për t’u dhënë pas artit të madh të së qeshurës. Me Irisin e vazhdova bisedën time edhe jashtë dyerve të Kolpinghaus Ëien Zentral, atje dhe ku qëndronim e referonim. Gazetarja që më përcjell Sisin kaq bukur, tha se patjetër kishte dëshirë ta dëgjonte edhe referenca të tjera lidhur me gruan dhe çfarë ajo duhet të jetë dhe u gajas mes shoqeve të saj. Jo duhet të jetë, mezi ç’prita unë të saktësoja, në fakt çfarë ajo është. S’ka për çfarë lufton, çfarë ajo duhet të ketë në ndërgjegje dhe çfarë ajo ka në të vërtetë. Eja, shtoi ajo, po vazhdove kështu s’do të të kuptojnë. Eja drejt rrugës në Schönbrunn, ke qenë ndonjëherë atje? Jo, po pse bashkë do ta bëjmë? Rrudha vetullat unë, isha gatitur ta shijoja plotësisht vetëm atë pjesë mbrëmjeje. Por Irisi me sy të vegjël bojë qielli nuk më ktheu përgjigje. Me sa duket, vetëm sa e kisha menduar këtë frazë.
Kujdesi me tjetrën ma kish penguar ta lëshoja me qesëndi. Në bisedën me Irisin e cila e çmoi miqësinë time, vura re se pavarësisht jo në dukje, vjenezja ruante të njëjtin mendim në atë çfarë filozofikisht shkruhet dhe sekretohet për gruan. Unë nuk mund ta pranoja se përse ajo gjithmonë i mëshonte fjalës “sekretim”, “kodifikim”, “koduar gjenetikisht”, kur biseda afrohej në një pikë që dukej sikur ishim afër zgjidhjes së fjalëkryqit apo shkodifikimit. Me buzë në gaz, e kënaqur pas të shumtave pyetje këmbëngulëse të miat, ajo shpjegonte se burrat thonë se të gjithë jetojnë në një strukturë familjare, ata vazhdojnë ta konsiderojnë amësinë si një zgjedhje personale që gratë bëjnë për kënaqësinë e tyre dhe për të cilën as burrat dhe as shoqëria nuk duhet të quhen përgjegjëse. Burrat, vazhdoi ajo, veprojnë sikur vazhdimësia e racës njerëzore të mos ishte një nevojë për të gjitha qeniet njerëzore. U mendova gjatë pas kësaj, dëshira për t’i treguar botës njerëzore se Po, ne jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha, m’u ndez vrullshëm. Por kjo aspak për t’u dalluar nga gjysma tjetër e jona, aspak në garë me tjetrin. Në konceptin tim të të menduarit, s’mund të pranoja garën me tjetrin, me të ndryshmin, me shoqen, shokun a të huajin, ose fundja siç ndodh jo vetëm në gjininë njerëzore, garën për të qenë më i fortë nga tjetri. Sepse mendoj e besoj se kjo luftë e përjetshme mes llojit apo i të kundërtave do ta kish ngurtësuar jetën nga frika që sjell ky çast i mbrapshtë, bota do të ish dalldisur nga orët e lume të saj, nga vrull i brendshëm dhe i papërmbajtshëm që kjo garë sjell. Natyrisht kuraja për të rrezikuar duhet të fillonte nga vetja dhe në një garë me veten njeriu do të duhej së pari të fitonte garën me dashurinë. Dashurinë për veten dhe së dyti për tjetrin. Por mbi të gjitha, dashurinë për të zakonshmen dhe harmoninë e çdo dite, e cila rrezaton te fytyrat e secilit nga gjysmat e njëri-tjetrit, të aftë edhe pse pa dëshirë, për të përballuar kaosin e përbotshëm apo ngjarjen e pazakontë. Ne e harrojmë shpesh dashurinë për ngrohtësinë e së përditshmes, aftësinë për t’u ndier të shpërblyer dhe të lumtur për atë që e bën të mahnitshme rrjedhjen e kohës: për të ndjerit, për të shëtiturit, për të lexuarit, për të shkruarit, për të ndërtuarit, për të folurit, për të darkuarit, për të dashuruarit, për të qenët miq.
Në Europë nuk ka asnjë qytet tjetër ku dëshira për kulturë të ish aq e zjarrtë sa në Vjenë. Ndoshta ngaqë prej shumë shekujsh monarkia, Austria, as nuk ka shfaqur ambicie politike dhe as nuk pati njohur ndonjë sukses të veçantë në nismat e veta ushtarake, krenaria habsburgase i qe kushtuar me forcën më të madhe dëshirës për të fituar epërsinë në fushën e artit. Këtu shkëlqeu mbarë bota muzikore e të pavdekshmëve si Hajdeni dhe Mozarti, Bethoveni, Shubert, Brahms dhe Johan Shtraus dhe gjenialiteti i këtij qyteti të muzikës arriti të shkrijë këto kontraste në një realitet të ri, në një frymë të re, ajo për të cilën çdokush në çdo kënd të globit do të kish dashur ta vizitonte një herë në jetë, era vjeneze me kafenë e saj të mëngjesit. Thuhet për të se është po kaq i mirë sa arrin të zbusë edhe drurin e shtrembër të alpeve afër Tirolit, ndaj dhe pyjet aty janë aq të drejtë. Jeta është kaq e ëmbël në këtë atmosferë pajtimi shpirtëror sa çdo banor i ri njehsohet shpejt me sjelljet e reja që të afrojnë me njerëzinë e këtushme. Rrugës drejt pallateve të qëmoçme të oborrit mbretëror të aristokracisë rrëfejnë histori të gdhendura në gur. Me pamjen e Hofburgut pas shpine, rrëmoja në çantën time për hartën e qytetit që ua kisha rrëmbyer që në aeroport stjuardesave gjatoshe flokëverdhë. Ja tek jam, këtu mes Hofburgut që pati jetuar breza të tërë perandorësh dhe Shënbrunit të mbetur në fund të jetës së tij si një pallat pa perandor, me Glorietën afër, ndërtesën e vogël magjike nga ku mund të tresësh shikimin larg e mpirë nga dalldia që syri i lodhur prej pallateve gjigante prej betoni andej dhe nga unë vija, s’kish kurrfarë faji që s’i bindej komandës bio-mekanike. Më tej, me shenjë, kisha nënvizuar Katedralen e Shën Stefanit. Ja, ja tek është, atje ku patën rënë në gjunjë princërit aleatë të krishterimit për t’i shprehur mirënjohjen Perëndisë që i pati shpëtuar prej turqve në betejën e Vjenës në shekullin e 17.
Vjena ishte një qytet me shije të hollë. Aty ku kish banuar Cvajg, Frojdi, Leoppold, e ku Akademia e Arteve të Bukura qëndronte në këtë periudhë e deri pas Krishtlindjeve hapur deri vonë pas mesnate, nuk kish si të mos të kultivonte e të ta përkorte shijen edhe më shumë. Sigurisht që nuk ish e vështirë që ta rimendoje edhe një herë këtë dashuri të tyre për artin dhe historinë kur i shihje të flisnin në çdo cep rruge a kënd lagjeje për çdo aspekt nga më të rëndomtat në jetën e personazheve të tyre të preferuar. Në fakt, limontia jonë politike, varfëria e një vendi që dhunon të vetët çdo ditë, një njerëzi që di të ndjekë mirë jetën jo vetëm politike të liderëve të saj s’mund ta përcjellë ndryshe kryeqytetin austriak.
Me Irisin në krah dëshiroja shumë të flisja që vendi im të përmirësohej, për të gjitha këto e të tjera nënçështje për të cilat do të doja vërtet të kisha një premtim për përfillje. Në një kohë kur përpara gjithë kësaj morie hallesh, bota me të drejtë ndien njëfarë frike, e voton kundër nesh për arsyet e veta, e besoj fort se Europa e qetë që nuk bie në sy, e që nuk bën ç’është e mundur për të merituar një Nobel, por që e ndien bashkimin si një ngjarje pa dalldi dhe të shkrirë në prozën e reales, ka kohë që tregon ndaj nesh një fytyrë më familjare që fal siguri dhe që jep garanci për të shpresuar në një të ardhme të pranueshme.
Top Channel