Usain Bolt nuk do të jetë në Lojërat Olimpike të Tokios, megjithatë ai udhëtoi këtë fundjavë në kryeqytetin japonez për hapjen e stadiumit të ri Olimpik, 7 muaj përpara fillimit të evenimentit më të rëndësishëm sportiv.

Rekordmeni botëror në 100 dhe 200 m mori pjesë në një garë ekzibicioni atë të distancës së 200 m së bashku me sportistë paraolimpikë në eventin e parë publik të stadiumit të ri prej mbi 60 mijë vendesh, një garë e cila u parapri nga një shfaqje me daulle taiko.

“Të qenit këtu përballë kaq shumë njerëzve, ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Isha i lumtur pasi unë nuk do të garoj në Lojërat Olimpike. A do të kthehem më në gara? Jo, kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh Usain Bolt.

Stadiumi i ri u dizenjua nga arkitekti Kengo Kuma dhe në të përfshihen elementë të traditës japoneze. Impianti është ndërtuar në zonën ku ka qenë ai  i Lojërave Olimpike të 1964-s dhe ka kushtuar 1.45 miliardë dollarë. Stadiumi i ri Olimpik do të presë ceremoninë e hapjes dhe të mbylljes së ‘Tokyo 2020’, si dhe garat e atletikës së eventit.

 

 

Top Channel