Reshjet e shiut ndërpresin takimin Flamurtari-Teuta! Kur pritet të luhet sërish ndeshja

22/12/2019 13:57

Sfida e javës së 17-të të Kategorisë Superiore mes Flamurtarit dhe Teutës është ndërprerë dhe shkak për këtë janë bërë reshjet e dendura të shiut.

Kushtet e krijuara e rënduan tejmase terrenin e stadiumit “Flamurtari” në Vlorë duke detyruar arbitrat e sfidës që pas 8 minutash lojë të dërgojnë në dhomat e zhveshjes, në pritje të një përmirësimi të kushteve të motit.

Ndërkaq në fushën e lojës u bënë verifikime të mëtejshme për të parë sesa ishin mundësitë për  vazhdimësinë e takimit dhe në fund rezultoi se kjo ishte e pamundur. Me shumë mundësi sfida mes Flamurtarit dhe Teutës do të zhvillohet ditën e hënë në orën 12 dhe do të nisë nga minuta kur u ndërpre sfida.

Pas 16 javëve kampionat, Flamurtari është në vendin e fundit  me 6 pikë, ndërsa Teuta  është në vendin e gjashtë me 25 pikë.

Top Channel