Lacio fitoi Superkupën e Italisë në futboll pas një përballjeje emocionuese ndaj Juventusit të zhvendosur mijëra kilometra larg në Arabinë Saudite. Formacioni bardhekaltër u imponua 3-1 ndaj kampionëve në fuqi në sfidën e zhvilluar në stadiumin e Riadit, aty ku torinezët nuk i ndihmoi as talenti i Kristiano Ronaldos, dhe as emrat e lojtarëve në fanela, në gjuhën arabe.

16 minuta lojë në King Saud Arena, dhe Lacio arriti të prishë ekuilibrat me Luis Alberton. Në një krosim në shtyllën e dytë dhe kombinimi me Milinkovic Savic, mesfushori sulmues kaloi ekipin e tij në avantazh. Juventus arriti të barazonte pak para pushimit kur një konkluzion i Ronaldos i devijuar nga Tomas Strakosha, gjeti Dibala në vendin e duhur në kohën e duhur.

Portieri i përfaqësueses shqiptare u rikonfirmua një garanci mes shtyllave dhe inspiroi ekipin që të ringrihej. Luliç kaloi sërish në epërsi Lacion me një të djathtë të saktë fluturimthi ndërsa prapavija e bardhekaltërve krijoi një barrierë të pakalueshme. Rrjeta finale e Superkupës së Italisë mban firmën e Kataldi, një goditje dënimi perfekte që regjistroi dhe golin që ul siparin e dështimit të Juventus, dhe festës së Lacios.

Top Channel