Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se mjetet e Fondit Rezervë të Kosovës, janë shpenzuar në përputhje me ligjin.

“Këtë vit, ky fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike. Çdo alokim dhe përcaktim është bërë me arsyeshmërinë më të lartë, sipas nevojave dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më 21 dhjetor, se Qeveria në largim e Kosovës, ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi Rezervë i Kosovës për këtë vit. Ky fond, sipas ligjit, shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Sipas të dhënave që ka publikuar qeveria, vlera më e madhe e shpenzimeve, përfshin çështje që nuk kanë të bëjnë me destinimin e këtij fondi.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se llogaria e Fondit Rezervë është zero.

Top Channel