Interi e mbyll 2019-ën në krye, Lukaku dhe një 17-vjeçar likujdojnë Genoan!

21/12/2019 20:33

Interi e mbyll vitin 2019-të në krye të Serie A. As mungesat Lautaro Martinez dhe Marcelo Brozovic të skualifikuar nuk i prishën punë skuadrës së Contes, që në San Siro dominoi ndaj Genoas duke triumfuar 4-0.

Njeriu i ndeshjes ishte Romelu Lukaku me 2 gola dhe 1 asist ndërkohë që në sfidën e parë si titullar gjeti rrugën e rrjetës duke shënuar golin e parë në karrierë me Interin edhe 17-vjeçari Sebastiano Esposito.

Një fitore që e ngjiti Interin në kuotën e 42 pikëve po aq sa edhe Juventusi, me zikaltrit që u rikthyen te fitorja pas dy barazimesh rresht. Serinë e golave e hapi Lukaku me një goditje të saktë me kokë në minutën e 31-të, ndërkohë që 2 minuta më vonë Gagliardini shënoi edhe të dytin.

Në pjesën e dytë Gagliardini i rikthyer në mënyrën më të mirë nga dëmtimi fitoi një 11-metërsh, të cilin Lukaku ia dha për ta goditur 17-vjeçarit Esposito me këtë të fundit që goditi në mënyrë perfekte duke festuar golin e tij të parë me fanellën zikaltër në minutën e 64-t. Kompletoi pokerin me golin e tij të 12-të në Serie A, Lukaku me një finalizim shumë të bukur në minutën e 71-të.

Një tjetër lajm i mirë për tifozët zikaltër ishte edhe rikthimi në fushë pas një mungese të gjatë i Stefano Sensit që luajti 20 minutat e fundit për të qenë në 100% në sfidën e parë të vitit 2020 atë ndaj Napolit në San Paolo. Mbyllet me një 4-0 2019-ta e Interin me shpresën se 2020-ta do të jetë viti i duhur që zikaltrit të fitojnë titullin kampion pas 10 vitesh agjërim.

Top Channel