Roma mori një tjetër 3-pikësh, këtë herë në transfertën e vështirë të “Artemio Franchit”, ku ia doli të mposhtë Fiorentinën me rezultatin e thellë 1-4 dhe të konsolidojë pozitat në zonën Champions.

Fiorentina e nisi më mirë takimin dhe arriti të kërcënojë 2-3 herë rrezikshëm portën e mbrojtur nga Pau Lopez, por verdhekuqtë u treguan racionalë dhe cinikë, duke shënuar në mundësinë e parë, me anë të sulmuesit kryesor Edin Dzeko.

Kapiteni u shërbye saktë në zonë nga fantazisti Nucolo Zaniolo dhe përballë portierit Dragowski, nuk mund të gabonte, duke devijuar topin në rrjetë dhe duke i dhënë Romës avantazhin në minutën e 19’ të sfidës.

Vetëm dy minuta më vonë ishte Zaniolo që fitoi një goditje dënimi mbi vijën e 16 metrave, ekzekutimin e të cilës e mori përsipër mbrojtësi serb Kolarov, që tregoi edhe njëherë mjeshtërinë në të tilla gjuajtje, duke dyfishuar shifrat.

Në minutën e 34-t ishte mesfushori kroat Milan Badelj që shënoi për Fiorentinën duke rihapur takimin, por llogaritë i mbylli Lorenzo Pellegrini në minutën e 73-të, kur shënoi edhe golin e tretë për verdhekuqtë.

Tentativat e Fiorentinës për të rihapur edhe njëherë takimin rezultuan të pasuksesshme, ndërsa hapësirat e shumta në prapavijë i shfrytëzoi sërish Roma, që nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë, gjeti edhe golin e katërt me anë të Zaniolos.

Me këtë fitore Roma u ngjit në kuotën e 35 pikëve në vendin e katërt me 6 pikë më tepër se Cagliari ndjekës, ndërsa Fiorentina mbetet në vendin e 14 me 17 pikë të grumbulluara në po kaq javë dhe tani trajneri Montella rrezikon seriozisht shkarkimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA