Gazetari serb, Stevan Dojçinoviç, themelues dhe kryeredaktor i Rrjetit për Raportimin e Krimit dhe Korrupsionit (KRIK), u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Ai kishte mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe për të folur në një konferencë në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC).

Pas disa orësh paraburgimi, gazetari Dojçinoviç, u kthye në Serbi. Sipas KRIK-ut, policia në Emiratet e Bashkuara i ka thënë atij se është në “listën e zezë” dhe se aty është vënë nga një vend tjetër, por pa i shpjeguar se për cilin vend bëhet fjalë.

Ngjashëm i kishte ndodhur në Rusi në vitin 2015 kur ishte ndaluar dhe mbajtur në aeroportin e Moskës para së të dëbohej në Serbi. Atëbotë planifikonte të mbante një leksion mbi në fakultetin e gazetarisë në Moskë, por u dëbua prej andej dhe ju ndalua hyrja në Rusi deri në vitin 2020.

David Banisar, kryetar i koalicionit të UNCAC, tha se “pengimi i gazetarit Dojçinoviç që të të flasë në konferencë e dëmton besueshmërinë e saj që supozohet të çojë përpara agjendën globale kundër korrupsionit dhe zbatimin e Konventës”.

Organizata Transparency International, tha në një njoftim se gazetari Dojçinoviç ishte planifikuar të fliste në panelin për “qasje të reja në adresimin e korrupsionit ndërkufitar, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar”, të organizuar nga Transparency International, organizata gjermane GIZ dhe Nisma Botërore kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Ai kishte një ftesë zyrtare nga Zyra e OKB-së kundër Narkotikëve dhe Krimit dhe ishte regjistruar për të marrë pjesë në Konferencë si anëtar i delegacionit të koalicionit të UNCAC.

Stevan Dojçinoviç, është redaktor rajonal i Projektit për raportimin mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin (OCCRP). Raportimi i tij është përqendruar në pastrimin e parave nga elitat e biznesit serb dhe lidhjet midis krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë. I njohur si një nga gazetarët hulumtues më të mirë në botë, Dojçinoviç është fitues i çmimit ndërkombëtar të gazetarisë nga Qendra Ndërkombëtare e Gazetarëve ICFJ dhe çmimit të BE-së për gazetarinë hulumtuese në Serbi.

Gillian Dell, nga Transparency International, tha se “gazetarët kanë dëshmuar vazhdimisht se kanë një rol vendimtar për të zbuluar çështjet e korrupsionit, veçanërisht kur dështojnë institucionet shtetërore. Përjashtimi i këtij gazetari është një kujtesë për të gjithë gazetarët dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile në të gjithë botën që vuajnë nga shtypja dhe dhuna për shkak të përpjekjeve të tyre për të frenuar korrupsionin”.

Hapësira për pjsëmarrjen e shoqërisë civile në konferencë, ishte shumë e kufizuar, shkruan Transparency International. Pesë organizata nuk u lejuan të merrnin pjesë për shkak të kundërshtimeve nga shtete të paidentifikuara. Shumë veprimtarë të të shoqërisë civile nga vendet arabe nuk u pajisën me viza në kohë për të marrë pjesë në konferencë, dhe një deklaratë e organizatave të shoqërisë civile nga vendet arabe për hapësirën e kufizuar qytetare në rajon nuk u pranua nga konferenca, për shkak të kundërshtimit të të njëjtave vende. Konferenca, duke përfshirë një hapësirë të veçantë për Organizata Joqeveritare, është nën vëzhgim kamerash, thuhet në njoftim./ VOA/

Sipas organizatës Gazetarët pa Kufij, Serbia radhitet në vendin e 90-të në listën prej 180 vendesh. Emiratet e Bashkuara Arabe radhiten ne vendin e 133-të.

Top Channel