Deputetët gjermanë çojnë në Kosovë fjalët e Merkelit: S’është koha për presidentin, krijoni qeverinë!

19/12/2019 17:33

Dy deputetët gjermanë, Christian Schmidt dhe Peter Beyer përdorën dhe emrin e kancelares Angela Merkel për t’i nxitur Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës të arrijnë marrëveshjen për krijimin e qeverisë.

LDK-së i mbërriti porosia që si parti partnere të heqë dorë nga posti i presidentit, sepse prioritet tani ka krijimi i Qeverisë.

“Tani për tani nuk është koha të zgjidhet presidenti, por të krijohet ekzekutivi. Të dy palët duhet të krijojnë një qeveri stabile dhe të mos bëjnë lojëra taktike. Mundet dhe duhet të ketë një marrëveshje të besueshme ndërmjet partnerëve dhe pritshmëritë e mija janë se këto rezervuar për natën e fundit”, shprehet Christian Schmidt.

Deputeti Peter Bayer tha se udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e kuptojnë shumë mirë përgjegjësinë që kanë pas zgjedhjeve të 6 tetorit për të formuar një qeveri të qëndrueshme.

“Një gjë të cilën të gjithë duhet ta kuptojnë është se bisedimet për koalicionin kanë mbërritur në një pikë ku të gjithë që janë përfshirë duhet ta kuptojnë që nuk duhet të humbin kohë në hollësira teknike. Është koha për të parë njëri tjetrin në sy dhe të kuptojnë që mirëbesimi është thelbi. Nëse në të vërtetë ekziston ky vullnet politik që e kemi ndjerë mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike për të formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, ju takon përgjegjësia për ta bërë atë realitet”, tha Peter Bayer.

Diplomatët perëndimorë bënë thirrje gjatë ditës për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re. Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian, Misioni i BE-së për sundimin e ligjit dhe krerët e misioneve diplomatike të vendeve anëtare, thanë në një komunikatë të përbashkët se “zgjedhjet i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet dhe se ky është thelbi i procesit demokratik’.

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri jehonë këtij qëndrimi duke theksuar se “qytetarët e Kosovës po presin me padurim për një qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive. Qëndrimin e mbështeti edhe ambasada britanike në Prishtinë. Javën e ardhshme pritet të mbahet seanca konstituive e parlamentit të ri të Kosovës, por, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që dolën të parat në zgjedhje, ende po vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Top Channel