Barcelona dhe Reali i Madridit barazuan pa gola në El Klasikon e fundit të kësaj dekade në futbollin spanjoll, një 90 minutësh me shumë raste dhe emocione por që ndryshe nga përballjet e kaluara të mbyllura mes goleadave, këtë radhë përfundoi me rrjeta të paprekura.

93 mijë e 426 tifozë kishin paguar biletat në stadiumin Kamp Nou, me shpresën se skuadra e tyre do të mund të shkëputej nga tjetra, por në fërshëllimën finale, të dy formacionet detyrohen të ndajnë vendin e parë.

Kasemiro dhe Valverde rrezikuan kadratin e katalanasve në jo pak raste, por Ter Shtegen shpëtoi portën duke merituar ovacionet e turmës. Fraksioni i parë ishte nën supremacinë e Realit të Madridit, por pa kaluar dot vijën fatale.

Pas një ore lojë, Luis Suarez pretendoi për penallti pas një kontrasti me një futbollist të galaktikëve, por arbitri mendonte ndryshe.

Merenges arritën të shënojnë për herë të parë, por uellsiani Geret Bejl për anësorin ishte në pozicion të parregullt. Përsëritja e aksionit shtoi dyshimet por nuk bindi arbitrin për të quajtur golin e Realit, ndërsa barazimi mori shpejt formën zyrtare. tani në renditje, Barcelona dhe Real në vendin e parë me nga 36 pikë secili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA