Katër vitet e fundit, në Gjermani, janë punësuar 430 mijë refugjatë. Ndër ta, më shumë se 40 mijë, kanë përfunduar kurse profesionale.

Por, kjo sipas DW, nuk mjafton. Çdo dy sipërmarrje në gjermani përballen me mungesën e fuqisë së kualifikuar punëtore. Dhe sipas dhomës së industrisë dhe tregtisë, nuk shihet në horizont ndonjë përmirësim i mundshëm. Vitet në vijim, në gjermani, do të dalin në pension aq shumë punëtorë sa që nga viti 2030, do të mungojnë rreth gjashtë milionë punonjës në treg.

Në kompanitë e zanateve në gjermani, ka një mungesë prej 250 mijë punëtorësh aktualisht. Problemi, konsiderohet aq serioz sa që edhe vetë kancelarja Angela Merkel, ka thirrur një takim në zyrën e saj dhe përveç politikanëve në nivel federal, në të ishin të pranishëm edhe krerët e shoqatave të ekonomisë gjermane, sindikatave, agjencisë së punësimit etj.

Për ministrin e financave, Olaf Scholz, Gjermania ka nevojë për emigrantë dhe kjo mund të bëhet në mënyrë të organizuar. Një ligj i ri do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020 dhe ai parashikon mundësinë që në tregun gjerman të punës të futen edhe punëtorë nga vendet jashtë BE. “Na duhen procedura të cilat e bëjnë shumë të qartë se ne jemi të interesuar që njerëzit të vijnë tek ne”, tha kancelarja Merkel, e cila paralajmëroi të gjitha autoritetet e brendshme dhe ato që kanë të bëjnë me të huajt, se duhet të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre.

Për ministrin e jashtëm, Heiko Maas, duhen shtuar kapacitetet dhe duhet bërë digjitalizimi i procedurave për dhënien e vizave për punë ndërkohë që duhet përmirësuar edhe procedura për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve të huaja.

Top Channel