Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit i certifikoi më 27 nëntor, por që ende nuk ka një marrëveshje në mes dy partive, Vetëvendosjes që doli e para dhe LDK që doli e dyta në zgjedhje.
Kjo marrëveshje ka ngecur pasi që LDK insiston që të përfshihet edhe posti i presidentit gjë që po refuzohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por është dikush që shprehet optimist për një koalicion në mes të dy partive.
Madje analisti politik Armend Muja mendon se koalicioni do të ndodh shpejt. Muja shprehet i bindur që së shpejti do të ketë edhe konstituim të Kuvendit të Kosovës.
“Si përfundim unë mendoj se do ketë koalicion në mes këtyre dy partive dhe po e them këtë për disa arsye dhe mes të tjerash është edhe nevoja që Kosova ta aprovojë buxhetin që është miratuar më 31 tetor në Qeveri sepse në fund të shkurtit qeveria ndalon sepse nuk ka mjete për të funksionuar më tepër. Unë mendoj po ashtu se parlamenti do të konstituohet dhe pastaj pas konstituimit palët kanë ende kohë për të vazhduar. Kushtetuta do jetë e heshtur se sa ditë dhe javë duhet të shkojnë. Unë mendoj se partitë duhet të marrin aq kohë sa iu duhet në mënyrë që në fund me ardhë tek një zgjedhje, e cila është megjithatë një ndryshim prej qeverisjeve të kaluara dhe nuk e kisha parë diskutimin e gjatë të pazakonshëm megjithatë ajo që është e rëndësishme që ne si votues dhe opinionistë kemi qenë kundër që të krijohen qeveri vetëm shkel e shko por kemi dashur të krijojmë një qeveri qà « ka mandat të qartë, legjitimitet të qartë“, tha Muja për KosovaPress.
Lidhur me kërkesën e LDK për postin e presidentit, Muja vlerëson se kjo parti duhet ta kuptojë që Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje, por që edhe Vetëvendosje duhet të bëjë lëshime.
“LDK-ja nuk është parti e parë, është parti e dytë. Sa më lehtë që e kupton aq më mirë. Vetëvendosje duhet ta kuptojë që duhet të bëjë lëshime për me i akomoduar kërkesat që janë të domosdoshme nga partneri qeveritar. Tek puna e presidentit është shumë e logjikshme që ne nuk mund të votojmë një president i cili nuk e dimë se kush është, dhe unë këtu mendoj se Vetëvendosje ka të drejtë. Është e drejtë e Vetëvendosjes me insistu që ta ketë një kandidat qoftë edhe nga LDK-ja që të jetë i testuar në popull dhe po ashtu të ketë një legjitimitet popullor”, u shpreh Muja.
Në aspektin se a ka gjasa që LDK të krijojë Qeverinë me ndonjë parti tjetër nëse Vetëvendosje si e para në zgjedhjet e 6 tetorit dështon t’i krijojë institucionet, Muja tha se ky do ishte një skenar për të cilin mungon guximi nga LDK-ja.
Prandaj analisti politik ka këshilluar Lidhje Demokratike të Kosovës që ta shfrytëzojë këtë momentum për që qenë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Sipas tij nëse nuk ndodh koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ka gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje në maj, dhe betejën kryesor ai e sheh në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të krahut të luftës PDK-së, AAK-së dhe Nismës, pasi sipas tij LDK do të dobësohet duke kaluar si e partia e tretë krahasuar me zgjedhjet e 6 tetorit.
“Me këtë rrjedh kohore atëherë vendi ishte dashur të shkoj në maj marr parasysh edhe fushatën zgjedhore. Në zgjedhjet e ardhshme unë mendoj që në mes këtyre dyjave do ketë një kamping, betejë kryesore nuk do të jetë më VV me LDK-në. Beteja kryesore do të jetë Vetëvendosje me ish partitë e krahut të luftës PDK-AAK-NISMA, kurse LDK nuk e shoh më si palë të rëndësishme politike. Për këtë arsye është e rëndësishme që LDK ta shfrytëzoj këtë momentum nëse dëshiron me ndikua në kursin dhe drejtimin e vendit…E kam të konfirmuar Vetëvendosje tani ka mbështetje mbi 30 përqind kurse LDK ka mbështetje më të vogël sesa që e kishte në zgjedhjet e kaluara. Kjo është pa asnjë dyshim”, tha Muja.
Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar takime të shumta, madje kanë paralajmëruar edhe intensifikim të takimeve me qëllim të një marrëveshje për krijim të qeverisë.
Top Channel