Gjobë për tifozët/ Partizani dhe Tirana duhet të paguajnë dëmet në Air Albania Stadium

17/12/2019 05:29

Dhuna ndaj arbitrit në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Dinamos ka detyruar Komisionin e Disiplinës në FSHF që të hapë një hetim për këtë ngjarje.

Gjyqtari Sokol Bebja u sulmua nga disa tifozë peqinas në përballjen e fundjavës së kaluar në një 90 minutësh të mbushur me tension, që kulmoi në mënyrën më të shëmtuar pas 8 kartonëve të verdhë dhe 3 të kuqve.

Por disiplina nuk u ndal me kaq. Me fokusin në derbin e kryeqytetit dhe incidentet e ndodhura në stadiumin Air Albania, janë gjobitur si Partizani ashtu dhe Tirana. Të kuqtë dhe ekipi bardheblu do të paguajnë 200 mijë lekë secili, ndërsa Partizani si klub organizator, por edhe Tirana me pjesën e saj, do të paguajnë gjithashtu dhe dëmat e impiantit ultramodern, pas shkuljes së disa stolave dhe disa sendeve të thyera.

Ndërkohë Neritan Novi që u emërua së fundmi trajner i Luftëtarit, nuk do të mund të debutojë në pankinë për dy javë. Ai është dënuar me dy ndeshje për sjellje antisportive ndaj zyrtarëve dhe nuk do drejtojë dot ekipin gjirokastrit.

Top Channel