Vazhdojnë protestat në Indi, kryeministri bën thirrje për qetësi

16/12/2019 15:54

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u detyrua të ndërhynte e të bënte thirrje për qetësi, pasi vala e protestave të dhunshme kundër një ligji të ri për emigrantët e paligjshëm hyri në ditën e pestë.

Demonstrata masive po zhvillohen në kryeqytetin Nju Delhi, si dhe në Mumbai, Hajderabad dhe Kolkata.

Ligji i ri u jep të drejtën e shtetësisë disa emigrantëve jomyslimanë nga tre vende me shumicë myslimane, e kjo ka ngjallur reagime të ashpra. Disa thonë se ligji është anti-mysliman, ndërsa të tjerët – sidomos ata në rajonet kufitare – i druhen emigrimeve masive.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Indisë se Akti i Amendamentit të Shtetësisë nuk e prek asnjë qytetar të asnjë feje. Asnjë indian nuk ka përse të shqetësohet për këtë akt”, shkroi kryeministri në Twitter.

Autoritetet kanë provuar t’i frenojnë protestat duke ndalur shërbimet e internetit, ndaj është e paqartë se sa njerëz në zonat e prekura e kanë parë postimin e kreut të ekzekutivit. përleshjet mes protestuesve dhe policisë shkaktuan të paktën 6 të vdekur.

Po përse konsiderohet ky ligj kaq përçarës? Ai lejon që jomyslimanët nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani, të cilët kanë hyrë në Indi në mënyrë të paligjshme, të bëhen shtetas të këtij vendi.Sipas qeverisë, ligji ka për qëllim t’i strehojë ata që i janë larguar persekutimit fetar.

Ndërsa për kritikët, legjislacioni është pjesë e agjendës së qeverisë për të margjinalizuar myslimanët dhe shkel parimet laike, të përcaktuara me kushtetutë. Edhe zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se ligji i ri është thelbësisht diskriminues. Por qeveria mohon çdo paragjykim fetar dhe thotë se myslimanët nuk janë të përfshirë në ligjin e ri, sepse nuk janë pakicë fetare dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen e Indisë.

Irida Vasia

Top Channel