Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurës A.M-Z. për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura A.M-Z. me dashje dhe vetëdije të plotë më 12 shtator 2014 ka kaluar përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” së bashku me bashkëshortin e saj A.M. dhe vajzën e saj ku kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit – Turqisë dhe më pas kanë vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim që të iu bashkëngjitet grupeve terroriste ISIS dhe Al Nusra.
Gjatë qëndrimit në zonat e luftës ka pasur vizita nga persona të ndryshëm, në mesin e të cilëve L.M., R.H. me gruan e tij dhe të tjerë, si dhe gjatë qëndrimit në Siri, në zonat e luftës ka pranuar shuma nga 50 deri 150 dollarë për muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj A.M. ka ushtruar me ushtrinë siriane, si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë në qytetin Minbixh.
Ndërsa, e pandehura A.M-Z. më 20 prill 2019 nga autoritetet e drejtësisë amerikane është kthyer në Kosovë.
Me këto veprime e pandehura A.M-Z. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.
Top Channel