Reforma Zgjedhore mori një kthesë të re pasditen e kësaj të hënë kur bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri doli para mediave dhe njoftoi mosmbajtjen e mbledhjes për shkak të mungesës së opozitës së re. Damian Gjiknuri hodhi dyshimet e para për një bojkot të mundshëm të opozitës parlamentare.

“Sot nuk u bë kuorimi i mbledhjes sepse disa anëtarë nuk erdhën dhe bashkëkryetarja nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Puna vazhdon. Do të kemi njoftime për mbledhjen e radhës. Shpresoj që të mos jetë ngërç dhe bojkot. Ne presim mirëpresim partitë e opozitës parlamentare me një propozim. Shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës,” deklaroi Gjiknuri.

Gazetarja e Top Channel-it, Elda Menga kontaktoi me deputetët Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi, të cilët konfirmuan arsyen e bojkotit të sotëm.

“Po bëhet çdo gjë fasadë. Kam kërkuar kalendar të veçantë pune. Pa një kalendar të qartë pune ne s’mund të jemi në atë komision. Mendoj që komisioni i reformës ka nevojë për një kalendar të qartë që të prekë dhe sistemin. S’mund të bëhemi pjesë e fasadës mbushëse të mazhorancës. Nuk jam dakord me metodologjinë e punës që po ndiqet. Koha është për veprim”, theksoi Gjoni për Top Channel.

“Për sot po është bojkot. Te jemi më serioz dhe me këmbë në toke. Duhet ndryshim sistemi”, deklaroi Murrizi për Top Channel.

Opozita parlamentare ka gati edhe propozimet e saj për ndryshimin e sistemit, ndërsa Top Channel  mëson se ato do të bëhen publike brenda kësaj jave. Krahas opozitës jashtëparlamentare mazhoranca socialiste pritet të ketë një tjetër shqetësim. Nëse ajo nuk merr parasysh propozimin për prekjen e sistemit, atëherë prania e opozitës parlamentare në komisionin e Reformës Zgjedhore vihet në pikëpyetje edhe për mbledhjen e radhës për të cilën Damian Gjiknuri nuk dha asnjë datë.

Top Channel