Krasniqi: Loja e Kurtit me Vjosën për të shkuar në zgjedhje të reja

16/12/2019 11:15

Profesori universitar Milazim Krasniqi tha se Albin Kurti po luan lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, pasi ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja dhe nëse Vjosa Osmani arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e Kurtit mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor.

Për Krasniqin, këtë truk të Albin Kurtit nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së. Sipas tij, në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar.

“Lëvizja Vetëvendosje ka treguar gjenerozitet hileqar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u pajtuar që postin e presidentit t’ia japë partisë rugoviste, që njihet si parti presidenciale. Kushti i vendosur nga Vetëvendosje është shumë hileqar, por i dukur si miqësor: kërkojnë që në atë post të zgjidhet Vjosa Osmani. Pra, Vetëvendosje po kërkon diçka që nuk është jonormale për një parti demokratike: po kërkon të caktojë kuadrot e LDK-së”, shkroi Krasniqi.

Në rastin e Vjosa Osmanit -shtoi Krasniqi- partia e Kurtit ka një pertekst që të jetë gjeneroze, pasi ajo ia mundësoi fitoren Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Vetëvendosje ka shprehur dëshirë ta shpërblejë zonjën Osmani, e cila ka merita të mëdha për fitoren e Albin Kurtit. Sipas një teorie, po të mos ishte Vjosa Osmani e vendosur që ta humbte garën, Kurti nuk do ta fitonte garën. Gabimet e saj në fushatë kanë ardhur si pasojë e presioneve psikologjike që ka pasur nga veteranët e partisë së saj. Duke bërë përpjekje që të dukej shumë e fortë, ajo u tregua shumë arrogante, çka përballë një Albin Kurti të moderuar, e paraqiti si alternativë më të keqe”, vijoi profesori Krasniqi.

Sipas tij, aktiviteti i Osmanit në promovimin e fitores së Vetëvendosjes ka qenë i madh që nga shpallja e rezultateve preliminare në natën e 6 tetorit. Ai tha se Vjosa nuk iu nda Kurtit as në udhëtime jashtë vendit e as në momentin e nënshkrimit të deklaratës si deputete e re.

“Vjosa Osmani ka deklaruar me të drejtë se nuk i jep llogari Agim Veliut. Kjo është e kuptueshme, pasi ajo po i jep llogari Albin Kurtit. Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, do të bënte ta harronim presidenten e zarfit të Kristofer Dellit. Emri që ka nxjerrë nga zarfi Albin Kurti është shumë më pak korrekt. Meqë ende nuk ka pasur ndonjë demantim nga ana e Vjosa Osmanit, atëherë ajo shihet si kandidate e LDK-së e propozuar nga Vetëvendosje. Por, kjo faktikisht e ka futur Vjosa Osmanin ndërmjet dy zjarreve, në njërën anë veteranët e LDK-së që duan ta ngulfatin politikisht, në anën tjetër Albin Kurti po e konsumon politikisht”, shkroi Krasniqi.

E sipas tij e gjithë kjo është një lojë e Albin Kurtit i cili po e luan me Vjosa Osmanin për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Albin Kurti po e luan këtë lojë me Vjosa Osmanin për një arsye të fshehtë, ai po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të reja. Nëse Vjosa Osmanin arrin ta konsumojë, atëherë fitorja e tij mund të jetë më e madhe se sa më 6 tetor. Këtë truk të Albin Kurti nuk është duke e kuptuar as Vjosa Osmani e as veteranët e LDK-së. Në LDK disa janë tepër pleq për të menduar, disa tepër të rinj për të kuptuar”, përfundoi Krasniqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA