Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të merret vetëm në pranverë të vitit të ardhshëm dhe jo këtë vit siç ai vetë kishte paralajmëruar.
Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se u ka dërguar shkresë të gjitha vendeve të BE-së që janë vendimmarrëse, ku kërkon lëvizjen e lirë për kosovarët, megjithatë u shpreh se në këtë pikë, nuk shpreson që vendimi të merret këtë vit.
Sipas Haradinajt, shtyrjes së datës për liberalizimin i ka kontribuar edhe Vetëvendosja dhe LDK-ja të cilat po e zvarritin procesin e ngritjes së institucioneve të reja qeverisës pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Tani jemi më skeptikë. Zor të ndodhë heqja e vizave në këtë moment, kur po afrojnë dhe Krishtlindjet. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme mund t`i kemi në fund të shkurtit apo në fillim të marsit, kur çështja mund të hyjë në rend dite. Kam komunikuar vazhdimisht me palët dhe I kam drejtuar shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi. Në këtë shtyrje, mund të ketë ndikuar pak edhe vonesa në formimin e institucioneve, që po e zbeh disi fuqinë tonë. Besoj që dhe kjo ka krijuar probleme” , ishte komenti i Haradinajt.
Kryeministri në largim i Kosovës e falenderoi për çdo rast Gjermaninë dhe kancelaren Angela Merkel për për përpjekjet e vazhdueshme që kosovarët të lëvizin të lirë në zonën Schengen.
Irida Vasia
Top Channel