Drogë dhe prostitucion në klubet e Shkodrës- ky është rezultati i një operacioni policor nga ku mbetën të arrestuar dy menaxherë të një klubi nate dhe një tjetër person, të cilët në bashkëpunim me pronarin e klubit kanë shpërndarë e shitur lëndë narkotike kokainë, si dhe kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.

Kështu u arrestuan Aldo Vrucaj  29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Gasper Marku 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkpunim”, si dhe Zamir Jakupaj 57 vjeç, këngëtar në klub, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e pronarit të lokalit, shtetasit E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në  Shkodër (balerinë).

Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.

Vazhdon puna me intensitet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ në bashkëpunim, ‘’Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’, ‘’Prostitucioni’’, ‘’Mbajtja e lokaleve për prostitucion’’ dhe ‘’Fshehja e të ardhurave’’.

Top Channel