“Pikaso i parashkollorit”/ Gjeniu 7-vjeçar, ekspozitë në Berlin

14/12/2019 14:09

Mikail Akar, vetëm 7 vjeç, që është quajtur edhe “Pikaso i parashkollorit” ka hapur ekspozitën e tij në Berlin.

Konsiderohet një gjeni i artit dhe ka bërë atë që asnjë bashkëmoshatar i tij nuk mund ta bëjë. Ekspozita e tij e re, është hapur në galerinë e Berlinit, dhe ndër veprat e tjera ka edhe një bashkëpunim me yllin gjerman të futbollit, Manuel Neuer.

“Unë i kthehem disa herë punëve të mia. Ndonjëherë mendoj: Po mund të duket bukur, por nëse shtoj diçka tjetër mund të duket akoma më e këndshme, ose nëse heq diçka, duket më mirë… Ndonjëherë jam i trishtuar kur një pikturë shitet, pasi më pëlqejnë vërtetë pikturat. Herë të tjera jam i gëzuar që ato janë shitur”, shprehet Mikail Akar.

Por, gjeniu 7 vjeçar, thotë se kur të rritet, do të bëhet diçka tjetër, jo piktor.

“Kur të rritem dua të bëhem diçka tjetër. Piktura të lodh shumë. Për shembull, për një pikturë të tillë, duhet shumë kohë. Shumë shumë kohë”.

Vizitorët në galeri, mbeten pa fjalë kur shohin veprat e vogëlushit.

“Jam e mahnitur. Kjo mund të jetë fare mirë vepër e një të rrituri”, thotë Arina Dening.

Mikail Akar, është bërë i famshëm në botën e artit dhe ka shitur pikturat e tij me çmime që shkojnë deri në dhjetëra e mijëra euro, duke qenë vetëm shtatë vjeç.

Top Channel