Një vit më parë parlamenti i Kosovës, miratoi ligjet që i hapin rrugë shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, një proces ky që pritet të zgjasë rreth dhjetë vjet.

Komandanti i kësaj force, gjeneral Rrahman Rama, tha se procesi i shndërrimit në ushtri është në rrugë të mbarë.

Vendimi për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe pa ndryshime kushtetuese, bëri që reagimet te jenë të ndryshme edhe te mekanizmat ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kishte paralajmëruar se do të rishqyrtohet shkalla e angazhimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Por marrëdhëniet me NATO-n, ku Kosova aspiron të anëtarësohet në të ardhmen, duket se nuk janë dëmtuar.

Miratimi i ligjeve për ushtrinë e Kosovës kishte nxitur zemërim në Beograd, zyrtarët e të cilit kanë ushtruar trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht numëron rreth katër mijë ushtarë aktiv dhe rreth dy mijë e 500 rezervë.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të te cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi në ushtri ishte parë të bëhej me ndryshime kushtetuese, por ato u pamundësuan për shkak të qëndrimit kundërshtues të Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Top Channel