Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është duke bërë barrikada në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e koalicionit qeverisëse, derisa gjithë anëtarët e kryesisë janë unik dhe të bashkuar për arritjen e një marrëveshje të tillë me partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kështu u tha pas mbledhjes afër tri orëshe të kryesisë së LDK-së. Zëdhënësi Besian Mustafa para gazetarëve tha se për të arritur këtë marrëveshje të dy palët duhet të bëjnë kompromise, teksa nuk konfirmoi se sot të përmbyllet koalicioni me VV-në.

Krahas saj, Mustafa i mohoi gjitha raportimet për përçarje mes nënkryetarëve Vjosa Osmani-Agim Veliu, ku tha se ata janë unik në qëndrime.

“Ne jemi unik të bashkuar në qëndrimet tona. Kemi përafrime substanciale me VV-në. Takimet do të vazhdojnë, negociatat do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes…nuk kemi barrikada jemi duke diskutuar dhe negociuar për mirëbesim dhe mirëkuptim që së bashku të arrijmë tek një marrëveshje bashkëqeverisëse”, tha ai.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, nuk konfirmoi se marrëveshja do të arrihet sot.
“Kjo mbetet të shihet në takimet e radhës. E thash edhe një herë vullneti i LKD-së për bashkëqeverise”, tha ai.

I pyetur nëse LDK insiston në postin e presidentit, Mustafa tha se gjitha palët duhet të bëjnë kompromise.

“Pjesa e marrëveshjes dhe negociatave është që gjitha palët të bëjnë kompromise. Pra diskutimet do të vazhdojnë në tavolinën e negociatave mes partive tona”, tha ai.

Sot rreth orës 16:00 pritët të jetë takimi i radhës me dy liderëve Kurti-Mustafa në tentim të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës./E.Zeqiri/kosovapress

Top Channel