Kukësi, sfidë për kreun/ Sot do të luhen katër ndeshje për superioren

14/12/2019 12:11

Pas derbit të flaktë mes Partizanit dhe Tiranës në Air Albania Stadium, java e 15 e Kategorisë Superiore vijon me 4 ndeshjet e tjera që do të luhen sot.

Sfida që do të ketë vëmendjen më të madhe do të jetë ajo që do të luhet në Elbasan Arena mes Kukësit dhe Teutës. Kukësi do të kërkojë që të përfitojë nga humbja e Partizanit në derbi dhe do të tentojë fitoren ndaj durrsakëve për të marrë kreun e klasifikimit. Këtë objektiv e ka edhe Teuta që nëse arrin të thyejë skuadrën verilindore do të shkojë në 25 pikë po aq sa edhe të Kuqtë për ta bërë akoma më intriguese betejën për vendin e parë.

Në Korçë, Skënderbeu do të presë Vllazninë dy skuadra që janë në kuotë të barabartë pikësh, 20, pas 14 javëve kampionat duke u pozicionuar në vendin e 7 dhe të 8, pozicione këto të rrezikshme për këto ekipe duke qenë se vendi i 8 të çon në fazën e playoffit për qëndrimin në Superiore. Skëndërbeu vjen në këtë sfidë pas humbjes së pësuar me Teutën, ndërsa Vllaznia pas suksesit me Luftëtarin kështu që për të 2 këto skuadra marrja e 3 pikëve merr vlerë.Në Vlorë, Flamurtari do të presë Bylisin, një ndeshje kjo shumë e vështirë për skuadrën vlonjate që ka probleme të mëdha dhe që është në vendin e fundit në renditje ndërkohë që ende nuk ka ndjerë shijen e fitores edhe pse kanë kaluar 14 javë nga ky kampionat.

Krejtësisht e kundërta ndodh me Bylisin që po zhvillon një sezon fantastik teksa po rivalizon fort me ekipet më të mira të Superiores për vendet e para në kampionat. Ndeshja tjetër e Kategorisë Superiore është ajo mes Laçit dhe Luftëtarit me skuadrën kurbinase që do të vijojë në ecurinë e rezultateve pozitive në Superiore, ndërkohë që Luftëtari është në vendin e parafundit dhe po sheh që shpresat për mbijetesë në Superiore t’i veniten javë pas jave.Të gjitha ndeshjet sotme në Kategorinë Superiore, ashtu sikurse edhe derbi i kryeqytetit do të transmetohen në platformën Digitalb.

Top Channel