Ambasadori i Delegacionit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, bëri të ditur të premten se konferenca e donatorëve ndërkombëtarë do të organizohet nga Komsioni Europian, për të siguruar ndihmë financiare në rikuperimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, në Tiranë, pas një muaji, në janar 2020.

Në një postim në twitter, Ambasadori Soreca shkruante se “Bashkimi Europian qëndron në solidaritet me Shqipërinë për tërmetin e fundit. Këshilli Europian mirëpret njoftimin e Komisionit Europian për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë të donatorëve”. Njoftimi për organizimin nga Komisioni Europian i kësaj konference në Tiranë, në janar 2020, erdhi një ditë pas vendimeve që mori Këshilli Europian në takimin e liderëve të BE në Bruksel.

Udhëheqësit e BE-së diskutuan dy ditë më parë në bruksel për situatën në Shqipëri dhe në përfundim të takimit, presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen, tha:

“Ishte shumë mirë që ramë dakord të zhvillonim një konferencë donatorësh për Shqipërinë në Tiranë para fundit të janarit. Ishte shumë inkurajuese të shikoje menjëherë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare për të qenë krah njerëzve në Shqipëri, kryesisht edhe për të përgatitur rindërtimin në rajonin ku do të jetë e nevojshme. Do të ketë një periudhë të gjatë rindërtimi që do të jetë e nevojshme.”

Idenë për një konferencë të donatorëve ndërkombëtarë e dha në fillim të dhjetorit pas samitit të NATO-s në Londër, Presidenti francez, Emmanuel Macron, për të ndihmuar Shqipërinë në rikuperimin e dëmeve nga tërmeti prej 6,4 ballësh i 26 nëntorit. Raporti i Operacionit të Emergjencës ka konstatuar se 13.000 qytetarë kanë humbur banesat, 261 pallate janë të pabanueshme dhe 851 të dëmtuara, 2237 banesa janë të pabanueshme dhe 4618 të dëmtuara, 44 objekte janë hedhur në erë dhe dhjetëra të tjerë ruhen me perimetër sigurie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA