Mesfushori maroken me pasaportë holandeze Sofyan Amrabat është blerja më e re e Napolit, ndonëse 23-vjeçari do të vijojë të luajë me fanellën e Veronës deri në fund të sezonit dhe vetëm verën e ardhshme do të vihet në dispozicion të Gattusos.
Presidenti De Laurentiis do të shpenzojë 16 milionë euro për kartonin e mesfushorit, të cilin donte ta marrë menjëherë në Napoli, por fakti që ka luajtur deri tani me dy klube të ndryshme brenda një sezoni, ia bën të pamundur transferimin e menjëhershëm.
Amrabat e nisi sezonin me Club Brugge dhe luajti në takimin ndaj Oostendes, para se të transferohet te Verona me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për shifrën e 3.5 milionë eurove.
Mesfushori fiton një pagë prej 300 mijë eurosh në sezon, por paraqitjet e tij kanë rënë në sy të shumë klubeve të mëdha dhe me kalimin te Napoli, pritet të nënshkruajë për 5 sezone, me një pagë pre 1.3 milionë eurosh në vit.
Top Channel