Kjo ishte godina e parë e konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, e cila u shemb me shpërthim të kontrolluar pasditen e së premtes. Janë dhjetë godina në total të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit.
“U kemi çuar projektin kolegëve tanë në Holandë. Besoj do të kemi një dizajn të ri se çfarë mund të ketë kampusi. U kemi kërkuar më shumë hapësirë, sepse një student i UBT nuk bën dot vajtje ardhje në Tiranë. Dhe ne duan të shtojmë pak më shumë hapësira”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Mbështetja për këtë projekt u dha edhe nga kryeminstri Rama.
“Faze e re për kampin. çfarë ti bëjmë. Gjera nuk vijnë të gjitha vetëm për të këqijat, vijnë edhe për të bërë ca të mira. Nga çfarë ndodhi, dhe nga çfarë u rrënua, duhet të rindërtojmë 100 herë më mirë seç ishte”, tha Rama.
Nga dhjetë godinat e ndërtuara për studentët, këta të fundit shfrytëzonin vetëm dy prej tyre, pjesa tjetër u zaptua gjatë viteve të tranzicionit nga familjarë. Ato pak familje që kishin mbetur, do të kenë një zgjidhje.
“Ata kanë marrë të gjithë qera për shtëpitë ku janë futur. Do marrin nesë një apartament të këto ndërtimet e reja që janë bërë. Pra do zhvendosen të gjithë si lagje”, u shpreh Veliaj.
Në vijim pritet që të shemben edhe dy godina të tjera konviktesh me shpërthim të kontrolluar, nga forcat xheniere. Pjesa e mbetur do të shembet me mjetet e IKMT-së.
Andi Bora
Top Channel