Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u është kundërpërgjigjur deklaratave të Aleksandër Vuçiçit se Serbia kërkon kompromis me Kosovën, duke përjashtuar njohjen reciproke.
Sipas Thaçit, deklarata të tilla janë provokime, dhe sipas tij në tryezën e dialogut dy shtetet mund të ulen vetëm si të barabarta.
“Mesazhet nga Beogradi që duhet të kemi një kompromis pa njohje të Republikës së Kosovës janë provokime. Pavarësia e Kosovës është një kompromis. Dialogu është i mundur bazuar në një parim: Dy shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën si fqinj të barabartë, që lëvizin drejt integrimit në familjen Euro-Atlantike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç përgjatë vizitës në Greqi dha një intervistë për gazetën e njohur greke “Kathimerini”, ku foli për çështjen e gjetjes së një zgjidhjeje finale me Kosovën dhe gjithashtu sa i takon idesë së shumëdiskutuar të korrigjimit të kufijve e shkëmbimit të territoreve.
Vuçiç tha se janë të gatshëm të negociojnë për gjetjen e një zgjidhje kompromisi, por sipas tij njohja e Kosovës nuk mund të ndodhë. I pyetur rreth idesë së korrigjimit të kufijve si zgjidhje e mundshme për ngërçin me Kosovën, Vuçiç u përgjigj gjithashtu me një pyetje.
“Cilët kufij do të diskutohen, atë të njohur nga Kina, Rusia, Greqia e Spanja, apo ata të njohur nga Franca e Gjermania?”
Top Channel